INSTAT: 1.272 shfaqje dhe premiera në institucionet qëndrore të artit gjatë vitit 2025
Në institucionet qëndrore të artit dhe kulturës gjatë vitit të kaluar janë organizuar mbi 1 mijë shfaqje dhe premiera. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë gjithashtu dhe për mbi 170 mijë spektatorë në këto institucione gjatë vitit të kaluar. “Gjatë vitit 2025, janë organizuar gjithsej 1.272 shfaqje dhe premiera në institucionet qëndrore të artit, ndërsa numri i spektatorëve arriti në 171.607”, bëhet me dije nga Instituti i Statistikave për shfaqjet në institucionet qëndrore të artit dhe numrin e spektatorëve në 2025.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025, u zhvilluan 314 aktivitete kulturore me pjesëmarrje ndërkombëtare në Shqipëri, me gjithsej 261.654 pjesëmarrës. “Kosova, vendet e Bashkimit Evropian dhe Arabia Saudite shënuan numrin më të lartë të aktiviteteve dhe pjesëmarrësve”, thuhet nga INSTAT. Në vitin 2025, në aktivitetet kulturore në Shqipëri morën pjesë 428 artistë të huaj, ku pjesën më të madhe e përbënin artistët nga Arabia Saudite (29,7 %), Kosova (11,7 %) dhe Italia (9,8 %), duke reflektuar sipas INSTAT rritjen e prezencës ndërkombëtare në jetën kulturore të vendit.
Në vitin 2025, sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore arriti në 1.523.587 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 15,9 %, krahasuar me vitin 2024. Gjithashtu në vitin akademik 2025-2026, në fushat e studimit të lidhura me kulturën janë regjistruar 16.111 studentë në arsimin e lartë, ku fusha më e preferuar sipas INSTAT është Arkitekturë dhe Ndërtim me 6.119 studentë.
“Në aktivitetet ose profesionet e lidhura me kulturën janë të punësuar 33.893 individë, të cilët përbëjnë 3,0 % të punësimit gjithsej në vend”, bëhet me dije nga të dhënat e INSTAT. Në vitin 2025, rritja më e lartë e çmimeve për mallrat dhe shërbimet kulturore është shënuar në kategorinë “Librat” me 2,9 %. Ndërsa shpenzimet publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare përbëjnë 1,65 % të shpenzimeve publike gjithsej dhe zënë një peshë prej 0,50 % në PBB-në gjithsej. Statistikat e paraqitura në këtë publikim janë siguruar nga anketat që INSTAT zhvillon dhe nga burimet administrative si Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Arsimit, si dhe Ministria e Financave.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.