Tiranë 25°C · Pjesërisht vranët 02 June 2026
S&P 500 7,615 ▲0.2%
DOW 51,229 ▲0.29%
NASDAQ 27,142 ▲0.2%
NAFTA 92.32 ▲0.17%
ARI 4,531 ▲0.54%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097
₿ CRYPTO
BTC $67,185 ▼ -5.59% ETH $1,909 ▼ -3.15% XRP $1.2209 ▼ -4.91% SOL $76.1400 ▼ -4.47%
S&P 500 7,615 ▲0.2 % DOW 51,229 ▲0.29 % NASDAQ 27,142 ▲0.2 % NAFTA 92.32 ▲0.17 % ARI 4,531 ▲0.54 % S&P 500 7,615 ▲0.2 % DOW 51,229 ▲0.29 % NASDAQ 27,142 ▲0.2 % NAFTA 92.32 ▲0.17 % ARI 4,531 ▲0.54 %
EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097 EUR/USD 1.1634 EUR/GBP 0.8648 EUR/CHF 0.9144 EUR/ALL 95.3912 EUR/MKD 61.6950 EUR/RSD 117.3884 EUR/TRY 53.4468 EUR/JPY 185.72 EUR/CAD 1.6097
02 Jun 2026
Breaking
Kosova

Instituti “Octopus”: Projekti i BIA për (LISTA) serbizimin e Kosovës – Linçimi si kërcënim i drejtpërdrejt ndaj Nenad Rashiqit

Në vorbullën e ngjarjeve të shumta politike, tensioneve rajonale dhe mjegullnajës informative që ka kapluar hapësirën mediale, produkti më kërcënues i propagandës serbe kundër Kosovës targeton “tradhtarët” në mesin e komunitetit serb.

Një tekst i Relja Zhelskit, shef i Drejtorisë së Analizës në BIA, i publikuar më 15 maj nga revista “Kompas”, u afishua nga mediat e tjera serbe si “zbulim” i inteligjencës për projektin e “çserbizimit” të Kosovës (Informer, 18.05.2026). Krahas narrativave të njohura manipuluese si “viktimizimi”, “agresioni i NATO-s”, “kuazi shteti anti-serb”, etj., zyrtari i lartë i BIA-s përdor linçimin dhe demonizimin e Nenad Rashiqit, udhëheqës i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë“, si mesazh disiplinimi për të gjithë votuesit serbë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ky produkt, përveçse i pazakonshëm e joprofesional, shërbehet po ashtu me referenca emocionale e falsifikime historike, për ta rritur efektin si operacion ndikimi në mbrojtje të Listës Serbe. Kur një zyrtar i lartë i inteligjencës e identifikon “tradhtarin e brendshëm”, mesazhi receptohet në kornizat e autoritetit që përfaqëson dhe natyrshëm pritet të merret më seriozisht, duke e rritur efektin “disiplinues”.

Zhelski nuk e ka hallin e Rashiqit si politikan, por të humbjes së kontrollit mbi qytetarët serbë. Të njëjtin hall e ka edhe Vuçiqi me ndërhyrjet në zgjedhje duke bërë thirrje të hapur për ta votuar Listën Serbe. Sepse, edhe një mandat i vetëm jashtë këtij subjekti përfaqësues të politikës së Beogradit, e rrënon pretendimin e Serbisë për “projektin e çserbizimit” të Kosovës, e rrënon narrativën e “terrorit” të “kuazi-shtetit të krijuar nga agresioni perëndimor”. Prandaj, pamfleti i Zhelskit është operacion i ndërhyrjes për absolutizimin e kontrollit ndaj votuesve serbë.

Kontrolli mbi serbët lokalë si strategji kundër Kosovës

Ata që i përcjellin deklaratat politike të zyrtarëve të Serbisë, e dinë se Serbia e përdor “akuzimin në pasqyrë”, duke projektuar të vërtetën e vet te aktorët e tjerë. Kështu bënte kur e quante UÇK-në organizatë terroriste, kështu bën sot kur pretendon për “terrorin” e Kosovës ndaj qytetarëve serbë.

Humbja e luftës dhe kontrollit për terror mbi Kosovën dhe shqiptarët, fatkeqësisht nuk e ka denazifikuar atë, nuk e ka bërë që t’i jepte shans përmirësimit të politikave të saj qeverisëse (protestat studentore prej 1 viti e gjysmë), por e ka riorientuar në strategjinë hibride për kontroll të ashpër ndaj komunitetit të serbëve në Kosovë.

Zhelski si zëdhënës i “Botës Serbe”

Relja Zhelski, me formimin dhe funksionin që mban përbën një shembull tipik të anomalisë intelektuale, ku përgatitja akademike vihet në shërbim të dogmave politike e nacionaliste, duke i bërë ato edhe më e rrezikshme.

Kështu shpjegohet origjina e totalitarizmit dhe banaliteti i së keqes nga Hannah Arendt-i. Keqpërdorimi i të shkruarit si akt intelektual për të denigruar figura politike, është në proporcion të zhdrejtë me të qenit historian dhe analist.

Zhelski, BIA dhe gjithë Serbia nuk e pranojnë, apo nuk duan ta pranojnë, se 10 ulëset e rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë për serbët kosovarë, jo për përfaqësuesit e Beogradit zyrtar në Kosovë.

Diskreditimi si prelud i eliminimit: Rasti i Oliver Ivanoviq

Linçimi i një politikani të padëgjueshëm ndaj Beogradit nuk është risi në habitatin politik të komunitetit serb në Kosovë. Para vrasjes së tij në vitin 2018, Oliver Ivanoviq ishte target i një fushate të ashpër diskreditimi dhe aktesh të dhunshme si djegia e veturës, sulmet në zyrën e partisë dhe kërcënimet ndaj familjes.

Ai konsiderohej më i moderuar dhe ishte kritik ndaj strukturave dominuese serbe në veri, si dhe regjimit në Beograd. Mediat e propagandës dhe kundërshtarët politikë e cilësonin “tradhtar”, “njeri të Prishtinës” ose figurë që cenonte interesat serbe në Kosovë. Vetëm pak ditë para vrasjes, ai vetë deklaroi se kishte frikë për sigurinë e tij.

Kjo nuk do të thotë se fushata linçuese ia organizoi vrasjen, por ajo ndërtoi klimën armiqësore që i kontriboi aktit final. Ai u vra më 16 janar 2018 para zyrës së tij në Mitrovicë të Veriut, ndërsa rasti ka mbetur ende i pandriçuar plotësisht sa i përket organizatorëve dhe autorëve.

Pranimi dhe strehimi si metodë perfide: rasti Radoiçiq

I vetmi rast kur një serb e ka pranuar publikisht përgjegjësinë për një sulm terrorist në Republikën e Kosovës është ai i Milan Radoiçiqit kur është kapur në flagrancë. Pas shfaqjes së tij si prijës i inkursionit në Manastirin e Banjskës më 24 shtator 2023, ai vazhdon operimin në rrugët e Beogradit duke e ruajtur autokratin serb, Aleksandër Vuçiq!

Përveç tij e terroristëve të tjerë, Serbia “strehon” edhe shqiptarë me precedentë kriminalë. Por, derisa nuk i burgos apo nuk i ekstradon (siç bën zakonisht me shumë të tjerë), kjo lë hapësirë të dyshohet se ata mund të shfrytëzohen për interesa të caktuara të këtij vendi.

Rastet e linçimit ndërmjet Ivanoviqit dhe Rashiqit kanë vetëm një dallim: autori këtë herë ka vendosur të shfaqet publikisht. Kjo do të thotë se Zhelski, shefat e tij në BIA dhe patronët e tyre politikë, kanë vlerësuar se fushatat diskredituese përmes instrumenteve të propagandës nuk po e arrijnë efektin e plotë.

Duke u bërë “zëdhënës” i nacionalizmit serb nga pozita e shefit të Analizës, Zhelski në fakt zbulon tri sekrete publike të politikës serbe kundër Kosovës:

– Serbia nuk e lejon integrimin e serbëve në Kosovë dhe asnjë zë opozitar që nuk dirigjohet nga Beograd;

– Lista Serbe u krijua nga shërbimet sekrete si proxy politik që deformon vullnetin dhe interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, dhe

– Serbia, përmes projektit nacionalist “Bota Serbe” do të vazhdojë t’i mbajë gjallë qëllimet hegjemoniste në rajon.

Në sfondin e protestave aktuale masive nga studentë e qytetarë që kërkojnë të ardhme më të mirë për vendin e kapluar nga korrupsioni, krimi i organizuar, varfëria, ikja e të rinjve, mungesa e lirisë së shprehjes, kontrolli mbi median, ndikimet e fuqive autokratike lindore, etj., kryeanalisti Zhelski shfaqet si një aparatçik i pushtetit serb, i cili rikthen fantazmat e regjimeve staliniste, maoiste e millosheviqjane, përmes diskreditimit të oponentëve të leviatanit politik në Kosovë me emrin “Lista Serbe”.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.