Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan rënie në tremujorin e parë
Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan rënie në tremujorin e parë

Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan rënie në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit zbriti në 55 milionë euro, 19% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare ishin në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit. Këto injektime kapitali përbënin afërsisht gjysmën e fluksit të ri të investimeve shqiptare jashtë vendit.
Pjesa tjetër konsiston kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive të zotëruara jashtë vendit.
Sidoqoftë, bilanci neto i investimeve të huaja direkte për 3-mujorin I 2026 ishte negativ, për një vlerë të përgjithshme prej 348 milionë eurosh, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Bilanci negativ në llogarinë e investimeve të huaja nënkupton se investimet e huaja direkte hyrëse në Shqipëri ngelen shumë më të larta krahasuar me investimet shqiptare jashtë vendit.
Në vitet e fundit, investimet e huaja direkte në Shqipëri këtë vit po shënojnë vlera rekord, por, nga ana tjetër, një tendencë të ngjashme në rritje po shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2025, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit ishte 241 milionë euro, në rritje me 25% krahasuar me një vit më parë.
Edhe në 2025 tremujori i parë i vitit kishte shfaqur një rënie të lehtë, por në vazhdim investimet shqiptare jashtë iu rikthyen rritjes.
Disa prej grupeve më të mëdha të biznesit në Shqipëri po kryejnë investime të konsiderueshme në tregje të huaja. Nëse deri para pak vitesh investimet shkonin kryesisht në tregjet fqinje, tashmë ka grupe shqiptare që po investojnë shuma të konsiderueshme edhe në tregjet e Europës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut.
Në vitet e fundit, këto investime janë orientuar kryesisht në pasuritë e paluajtshme, duke ndjekur modelin e biznesit që grupet shqiptare kanë konsoliduar brenda vendit.
Të dhënat statistikore për investimet e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit nuk detajohen për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale. Për këtë arsye, ende nuk ekziston një “hartë” e mirëfilltë e investimeve shqiptare jashtë, apo në cilat prej vendeve apo sektorëve po përqendrohet rritja në vitet e fundit.
Megjithatë, përveç investimeve në tregje më të largëta, të lidhura kryesisht me sektorin e real estate, disa prej grupeve më të rëndësishme shqiptare të biznesit prej vitesh janë të vendosura edhe në tregjet fqinje, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në fund të vitit 2025 investimet shqiptare në Kosovë kishin vlerën e 586 milionë eurove. Në ndarjen sektoriale, këto investime dominohen nga aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me afërsisht një të kartën e vlerës totale, ndërsa peshë më të ulët kanë ndërtimi, shërbimet financiare, prodhimi dhe tregtia. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.