Italia në gatishmëri të lartë, protestat vijojnë në dhjetëra qytete
Një grevë e përgjithshme dhe protesta masive po zhvillohen këtë të premte në dhjetëra qytete të Italisë, në një mobilizim të organizuar nga sindikata bazë USB kundër rritjes së kostos së jetesës dhe riarmatimit në Evropë.
Nën sloganin “Mbyllni gjithçka”, protestave u janë bashkuar punëtorë, studentë, pensionistë, aktivistë për të drejtat e strehimit dhe punonjës të porteve. Këta të fundit po zhvillojnë gjithashtu greva në rreth 20 porte, në shenjë kundërshtimi ndaj transportit të armëve.
Ndërkohë, autoritetet italiane kanë rritur masat e sigurisë, pas episodeve të dhunës të regjistruara së fundmi në Milano. Ministria e Brendshme është në gatishmëri për shkak të frikës nga infiltrimi i grupeve të dhunshme në marshime dhe mundësisë së përshkallëzimit të situatës gjatë fundjavës.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, i ka cilësuar zhvillimet e pritshme si problematike, duke paralajmëruar për rrezikun e aktivizimit të grupeve që mund të shkaktojnë trazira.
“Ka alarme, sepse ekziston kjo mënyrë shumë tinëzare e aktivizimit të shesheve, por asgjë ndryshe nga ajo me të cilën jemi marrë deri më tani”, deklaroi Piantedosi të enjten.
Në këtë kuadër, policia pritet të shtojë kontrollet dhe të kryejë, në rast nevoje, ndalime parandaluese, të parashikuara nga dekreti i fundit i sigurisë.
Greva ka sjellë gjithashtu ndërprerje dhe kufizime në transport, me shërbimet që në disa sektorë po funksionojnë vetëm pjesërisht.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.