Italia përmbys Francën, Anglia dhe Spanja fitojnë në Ligën e Kombeve
Pesë ndeshje, 14 gola dhe Bjellorusia që ndjek Shqipërinë dy pikë pas në Grupin C1
Mbrëmja e Ligës së Kombeve prodhoi pesë ndeshje dhe 14 gola, me Italinë protagoniste kryesore, siç njofton Topgol.al. Azzurrët përmbysën Francën me rezultatin 3-1, ndërsa Spanja dhe Anglia fituan në transfertë, dhe Bjellorusia mbajti gjallë garën në grupin e Shqipërisë.
Franca e nisi mirë sfidën në Itali, duke kaluar në avantazh me Michael Olise në minutën e 10-të, por përgjigjja e vendasve ishte e shpejtë dhe e vendosur. Salvatore Esposito barazoi në minutën e 26-të, Davide Frattesi përmbysi rezultatin në minutën e 63-të, ndërsa Esposito vulosi fitoren 3-1 me golin e dytë personal në minutën e 75-të, në një mbrëmje ku Italia i rrëmbeu Francës edhe kreun e grupit.
Spanja fitoi 2-0 në transfertë ndaj Çekisë, me Alex Baena që hapi rezultatin me penallti në minutën e 39-të, përpara se Marc Pubill të shënonte golin e dytë në minutën e gjashtë të shtesës. Anglia e mbylli me sukses testin ndaj Kroacisë, duke fituar 2-1: Morgan Rogers kaloi anglezët në avantazh në minutën e 24-t, Petar Suçiç barazoi në minutën e 59-të, por Harry Kane riktheu avantazhin në minutën e 64-t.
Në grupin e Shqipërisë, Bjellorusia fitoi 2-0 në transfertë ndaj San Marinos me golat e Aleksandr Gomanov në minutën e 13-të dhe Artyom Kontsevoy në minutën e 17-të, duke arritur 10 pikë, dy më pak se Shqipëria që kryeson me 12 pikë pas fitores 2-0 ndaj Finlandës. Gjithçka do të vendoset më 15 nëntor, në duelin e fundit Shqipëri – Bjellorusi.
Ndeshja e pestë e mbrëmjes u mbyll me fitoren 2-1 të Malit të Zi ndaj Letonisë, edhe pse vendasit luanin me 10 lojtarë: Nikola Krstoviç shënoi në minutën e 70-të, Glebs Melniks barazoi dy minuta më vonë, ndërsa Maras vendosi fitoren në minutën e parë të shtesës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.