Kamberi: Serbia ndan qindra miliona euro për serbët në Kosovë pa transparencë, ndërsa bllokon fondet për shqiptarët e Luginës
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës lidhur me fondet që Serbia ndan për serbët në Kosovë, duke akuzuar njëkohësisht autoritetet serbe për bllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Në një reagim të publikuar nga Koalicioni Shqiptar, Kamberi ka rikujtuar deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të bërë më 13 shtator 2022 në Kuvendin e Serbisë, kur kishte deklaruar se Serbia ndan çdo vit nga 700 deri në 820 milionë euro për Kosovën.
Sipas Kamberit, në atë deklarim nuk ishte sqaruar se cilat institucione apo subjekte i përfitojnë këto mjete dhe kush e mbikëqyr shpenzimin e tyre.
Ai ka theksuar se shuma e saktë nuk ishte bërë e ditur dhe se jo të gjitha fondet kalonin përmes të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, duke ngritur pikëpyetje për destinacionin e pjesës tjetër të mjeteve.
“Nëse vlerësimet për 100–180 milionë euro për Zyrën për Kosovën dhe rreth 100 milionë përmes ministrive të tjera janë të sakta, ku përfundojnë qindra milionët e mbetur?”, ka pyetur Kamberi.
Ai ka kërkuar që të bëhet publike se kush i përfiton këto fonde dhe kujt i raporton për mënyrën se si shpenzohen paratë publike.
Në anën tjetër, Kamberi ka akuzuar pushtetin serb se po bllokon fondet që Kosova ndan për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Sipas tij, bëhet fjalë për 129 projekte dhe katër programe që përfshijnë sigurimin e librave falas për fëmijët, praktikën profesionale, funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktivitetet e avokimit.
Deputeti shqiptar ka vënë në dukje atë që e konsideron si trajtim të pabarabartë: për fondet që Serbia ndan për serbët në Kosovë, sipas tij, nuk ofrohet transparencë e plotë publike, ndërsa financimi i projekteve konkrete për shqiptarët në Luginë pengohet.
“Për serbët në Kosovë kërkohet financim pa transparencë të mjaftueshme publike; për shqiptarët në Luginë pengohet edhe financimi i projekteve të identifikueshme”, thuhet në reagimin e Koalicionit Shqiptar.
Në fund, Kamberi ka kërkuar transparencë për çdo euro të parasë publike dhe zhbllokimin e mjeteve të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
“Të drejtat e pakicave nuk mund të varen nga interesat politike të pushtetit”, thuhet në reagim, ku kërkohet që llogaritë të bëhen publike, fondet të zhbllokohen dhe barazia të zbatohet./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.