Ulqin: Bashkësisë Islame donacion mbi 100 mijë euro për varrezat, Bajraktari shkarkohet sërish
Kuvendi i Komunës së Ulqinit miratoi donacionin mbi 100 mijë euro për Bashkësinë Islame për zgjerimin e varrezave "Sallaku" në Pinjesh dhe shkarkoi sërish ish-kryetarin Omer Bajraktari, sipas vendimit të Gjykatës Administrative.
Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit miratuan sot vendimin për shkarkimin e sërishëm të ish-kryetarit të Komunës Omer Bajraktari (URA), si dhe vendimin për konfirmimin e Memorandumit të bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare për Bashkësinë Islame, siç njofton Vijesti. Në të njëjtën seancë, Kuvendi emëroi Valdete Osmani Husić ushtruese detyre të sekretares së Kuvendit.
Sipas raportimit të Vijesti, Komuna e Ulqinit është zotuar t’i dhurojë Bashkësisë Islame diçka më shumë se 100 mijë euro për zgjerimin e varrezave “Sallaku” në Pinjesh. Bashkësia Islame i ishte drejtuar Komunës më 12 gusht të këtij viti me kërkesë zyrtare për ndihmë financiare për blerjen e dy parcelave me sipërfaqe 1.754 dhe 496 metra katrorë, vlera e vlerësuar e të cilave është 101.250 euro.
Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua më 9 nëntor nga kryetari i Komunës Genci Nimanbegu dhe përfaqësuesi i Bashkësisë Islame Blerim Bajraktari. Komuna do t’i paguajë Bashkësisë Islame 50 mijë euro brenda 30 ditësh nga miratimi i vendimit, ndërsa 51.250 eurot e mbetura në tremujorin e parë të vitit 2027; fondet do të përdoren ekskluzivisht për blerjen e tokës për zgjerimin e varrezave islame në Ulqin.
Ndërkaq, vendimi për shkarkimin e sërishëm të Bajraktarit u mor me arsyetim të ri, duke vepruar sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative, e cila më herët e kishte anuluar vendimin e parë për shkarkimin e tij për mangësi procedurale. Siç kishte raportuar Vijesti, gjykata kishte konstatuar se vendimi i Kuvendit i 30 majit 2024 nuk përmbante arsyet që do ta justifikonin shkarkimin, dhe më 5 tetor u urdhëroi autoriteteve të Ulqinit që në procedurë të përsëritur t’i mënjanonin mangësitë dhe pastaj të merrnin vendim të ri. Ish-kryetari Bajraktari paralajmëroi ankesë në Gjykatën Administrative.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.