Katër të arrestuar për narkotikë në Ferizaj dhe në Vermicë, sekuestrohen kokainë dhe pistoletë
Katër persona janë arrestuar në dy aksione të ndara të Policisë së Kosovës për posedim narkotikësh, në Ferizaj dhe në pikën kufitare në Vermicë. Gjatë kontrolleve u sekuestruan kokainë, marihuanë, një shumë parash dhe një pistoletë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë u regjistrua dje, më 25 shtator, rreth orës 00:10, në rrugën "Lidhja e Prizrenit" në Ferizaj. Aty u arrestuan tre të dyshuar – një mashkull kosovar dhe dy shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit të të dyshuarve dhe në vendbanimet përkatëse, policia gjeti dhe konfiskoi 96.9 gram kokainë, 0.6 gram marihuanë, 1,475 euro dhe një pistoletë. Me vendim të prokurorit, të tre të dyshuarit u dërguan në mbajtje pas intervistimit.
Rasti i dytë ndodhi po më 25 shtator, rreth orës 01:30, në pikën kufitare në Vermicë. Aty u arrestua një shtetas i Shqipërisë, pasi iu gjetën dhe iu konfiskuan 13.49 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Edhe ky i dyshuar, pas intervistimit, u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit, njofton Policia e Kosovës.
Burimi: KosovaPress



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.