Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut i jep mirënjohje ministrit Fatmir Gjeka
Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, u nderua në Nju Jork për angazhimin në shërbimin publik, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe diasporës shqiptaro-amerikane.

Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, ndodhet për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në Nju Jork merr pjesë në aktivitete me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, siç njofton Ul-info, sipas njoftimit të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave. Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut i akordoi atij mirënjohje të veçantë (Proclamation) për angazhimin e gjatë në shërbim publik, kontributin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave dhe përpjekjet për forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar në Mal të Zi dhe diasporës.
Motivacioni i mirënjohjes përmend karrierën e tij: qeverisja vendore e Ulqinit, ku u mor me buxhetin e financat dhe më pas u zgjodh kryetar komune, deputet në Kuvendin e Malit të Zi, ku u angazhua për integrimin evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, si dhe ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave nga viti 2022.
Veçanërisht vlerësohet lufta e tij kundër diskriminimit, promovimi i përfshirjes sociale dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve pakicë. Për lidhjet me diasporën shqiptaro-amerikane, Gjeka mori vlerësim edhe nga Asambleja e Shtetit të Nju Jorkut në vitin 2024.
Gjeka tha se vlerësimi është nxitje shtesë për punën në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të pakicave, harmoninë multietnike dhe lidhjet mes Malit të Zi dhe diasporës.
Gjatë vizitës ai u takua me autoritete vendore, anëtarë të Këshillit të Qytetit dhe përfaqësues të diasporës shqiptare nga Mali i Zi e rajoni. Bisedat u përqendruan te bashkëpunimi me diasporën, ruajtja e identitetit kulturor e kombëtar dhe statusi i popujve pakicë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.