Rivlerësimi i pronës me 5%, PS propozon shtyrjen e afatit deri më 31 dhjetor 2027
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar me kërkesë zyrtare Kuvendit për shtyrjen e afatit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, që aktualisht përfundon në fund të këtij viti.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për shtyrjen e afatit të procesit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme, siç njofton Shqiptarja.com. Kërkesa është bërë nga deputeti Olsi Komici, i cili në emër të grupit kërkon që rivlerësimi i banesave të shtyhet deri në dhjetor të vitit 2027, ndërsa afati aktual përfundon në fund të këtij viti.
Projektligji synon shtyrjen deri më 31 dhjetor 2027 të afateve të përcaktuara në ligjin nr. 85/2025 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, për kryerjen e rivlerësimit nga individët dhe personat juridikë, si dhe përcaktimin e rregullave për përfundimin e procedurave administrative të nisura brenda afatit ligjor. Sipas Komicit, shtyrja vlerësohet e nevojshme për t’u dhënë subjekteve të interesuara një mundësi më të gjerë kohore për të përmbushur kërkesat dhe procedurat e nevojshme.
Projektligji trajton edhe kërkesat e paraqitura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të cilat është paguar tatimi përkatës, por procedurat administrative nuk kanë përfunduar brenda afatit. Për këto raste propozohet një afat shtesë deri më 31 mars 2028, brenda të cilit procedurat duhet të përfundojnë, në mënyrë që subjektet që kanë përmbushur detyrimin tatimor të mos cenohen për shkak të kohës së nevojshme për përfundimin e procedurave nga institucioni përgjegjës.
Në funksion të qartësisë dhe sigurisë juridike për personat juridikë, projektligji përcakton edhe trajtimin kontabël të diferencës ndërmjet vlerës së pasurisë që rezulton nga rivlerësimi dhe vlerës së saj kontabël: për rivlerësimet e kryera gjatë vitit 2027, kjo diferencë do të pasqyrohet në pasqyrat financiare të të njëjtit vit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.