Kodi politik i reflektimit të Edi Ramës!
Nga Ylli Pata
Edi Rama ka pranuar sot publikisht se shkaktare për daljen në protestat e qershorit është qeveria dhe mazhoranca që ai drejton.
Ka shumë gjasa që siç ndodh në Shqipëri, “autokritika” merret si një akt thyerje, ndaj do të kërkohet “thellim”, siç ka ndodhur shpesh në historinë politike.
Ku shembulli më i famshëm është “autokritika” e Mehmet Shehut në Byronë Politike, që solli më pas furtunën e sulmit nga Enver Hoxha dhe të tijtë në byronë politike, duke shpallur armik se kishte lënë jashtë autokritikës ngjarje dhe dëshmi që sipas tyre, janë bërë me qëllim. Dihet ç’ndodhi më pas.
Autokritika pra, në politikën shqiptare është një tabu. Një standard që konsiderohet një hap prapa, një sinjal dobësie, një zbythje që vizatohet si fillimi i fundit.
Sali Berisha, për shembull, bëri autokritikë për piramidat e 1997, përpara zgjedhjeve të 2005-s, domethënë pas 8 vjetësh. Ndërsa për vrasjet e 21 janarit, ka gjasa që të bëjë autokritikë pasi prokuroria të mbyllë hetimin apo të shkojë çështja në parashkrim.
Në thelb, kundërshtarët e Edi Ramës nuk kanë për t’ja pranuar reflektimin, e sipas të gjitha gjasave, jo vetëm që do të hapë polemika të forta, por edhe rrisë nivelin e polarizimit.
Por Rama, nuk ka folur me ata që konsiderohen si kundërshtarë të tij, pra ata që nuk e kanë votuar, nuk e votojnë, e kërkojnë të rrëzojnë këtë mazhorancë. Adresa e tij duket se janë “Flamingot”që vijnë nga grupi i votuesve të PS-së apo edhe ata të elektoratit gri.
Të cilëve, u ka paraqitur sot vetëm parathënien verbale, përkatësisht atë që ai e konsideron reflektim, por që praktikisht do të shikohet kur të zbatohet “Besa” me “Aneksin”.
Që në vija të trasha, së paku deri tani pa i parë, konsiderohet një paketë ndryshimesh të mëdha reformash, e natyrisht lëvizje të forta në thuajse gjithë piramidën e pushtetit politik të mazhorancës, që dihet është i zgjeruar.
Por, sipas të gjitha gjasave, asnjë zhvillim politik, qoftë edhe pozitiv dhe i pritur mirë nga opinion nuk mund të shuajë një process politik që ka nisur tashmë.
Procesi i ngjizjes së një alternative politike ndaj Edi Ramës, i cili ndodhet në mandatin e tij të katërt. Ky proces ka nizur vrullshëm, me bujë në fillim, ç’ka fryu mjaft protagonist që nga euphoria ju sulën mbarë e mbrapsh të gjithëve që nuk mendonin si ata, përveç Edi Ramës. Duke ardhur më pas tek rënia në grackën politike të opozitës së vjetër, domethënë Sali Berishës dhe partive të tjera të opozitës, që në realitet janë në një linjë strategjike e taktike me të.
Gjithsesi, procesi politik ka nisur, e për tu pjekur në ngjizjen e një lidershipi dhe grupi përfaqësues kërkon kohën dhe kushtet e saj. Ky proces do të piqet natyrisht në sajë të mënyrës dhe cilësisë së përballjes me pushtetin e Edi Ramës para së gjithave, por edhe krijimit të një fytyre të alteregos alternativ të kryeministrit aktual.
Dy dokumentet që sot ka nominuar Rama, kur të mësohet përmbajtja janë një mundësi e artë për opozitën e flamingove për tu konfrontuar me idetë e qëndrimet e mazhorancës.
Kjo është politika reale që e ndërton një opozitë apo lidership alternativ. Materialet që ka nxjerrë Edi Rama në grupin e Ps-së, së bashku edhe me fjalën që e konsideroi reflektim, janë realisht të bollshme për ta shtyrë edhe nja tre-katër muaj debatin politik. Që kur të vijnë zgjedhjet vendore të jenë gati me njerëzit e duhur e mendjen në vend, pa pasur nevojë të varin e të fusin në burg ndokënd.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.