KOMENT – Tangoja e fundit Messi-Argjentina
BUENOS AIRES, 5 tetor /ATSH-DPA/ – Mbërritja e fundit në grumbullimin stërvitor, stërvitja e fundit me ekipin, ndeshja e fundit me fanellën e Albicelestes.
Argjentina po përgatitet për tangon e fundit të Lionel Messit.
Lamtumira e tij pas 21 vitesh me kombëtaren do të zhvillohet të martën në Buenos Aires, në një ndeshje miqësore kundër Beninit.
Dhe kushdo që kujton gjithashtu lamtumirën e tij të përlotur nga Barcelona në vitin 2021, mund ta imagjinojë se sa emocionuese mund të jetë lamtumira e tij në Argjentinë.
”Që në momentin kur ai të zbresë në ‘Monumental’, do të jetë një ditë e paharrueshme për të gjithë”, tha trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni.
Messi njoftoi në gusht se do të tërhiqej nga kombëtarja këtë vit.
”Ishte një vendim që më lëndoi thellë në shpirt dhe ende më dhemb, por e kuptoj se ka ardhur koha”, tha 39-vjeçari në atë kohë.
Humbja në finalen e Kupës së Botës – dhe bashkë me të, ëndrra e shkatërruar për të mbrojtur me sukses titullin – e ndjekur nga vdekja e babait të tij, Jorge, në moshën vetëm 68-vjeçare, e lanë yllin e futbollit të mendonte thellë dhe e shtynë të ndërmerrte këtë hap vendimtar.
Ndryshe nga hera kur u tërhoq për herë të parë nga futbolli ndërkombëtar në vitin 2016, pas një tjetër humbjeje në finalen e një turneu madhor, këtë herë do të jetë fundi.
“Ekziston një ndjenjë trishtimi që ai nuk do të jetë më aty. Dhe jo vetëm nga këndvështrimi i futbollit”, tha Scaloni, historia e suksesit të të cilit është e ndërthurur kaq ngushtë me atë të Messit.
Marrëdhënie e veçantë mes lojtarit dhe trajnerit
Messi dhe Scaloni ishin në të njëjtin ekip të Argjentinës si lojtarë në vitin 2006.
I dyti e mbylli karrierën e tij si futbollist në vitin 2015.
Që prej marrjes së drejtimit të kombëtares në vitin 2018, Scaloni ka arritur të ndërtojë një ekip rreth Messit që fitoi ”Copa América” në vitet 2021 dhe 2024, titullin e Kupës së Botës në vitin 2022 dhe arriti sërish në finalen e Kupës së Botës në vitin 2026.
“Kombëtarja e Argjentinës do të vazhdojë të ekzistojë. Por, ne do të na mungojë ai”, tha trajneri.
Ky ekip do të ndiejë mungesën e Messit.
Ai ishte lideri i tyre dhe, megjithatë, njëri prej tyre.
Shokët e skuadrës ishin admiruesit dhe mbrojtësit e tij.
Dhe kombi i futbollit që dikur adhuronte Diego Maradonën, ra gjithashtu në dashuri me Messin.
Pasi të mbyllë kapitullin e tij me kombëtaren, Messi do të ketë ende një kontratë me ”Inter Miami” deri në fund të vitit 2028.
Pas kësaj, pritet që ai të largohet nga futbolli.
Ndërsa për tifozët argjentinas po fillon një epokë e re – të cilët ende nuk e dinë nëse Scaloni do ta zgjasë kontratën e tij, e cila skadon në fund të vitit – Messi e ka nisur prej kohësh fazën tjetër të jetës së tij.
Portofoli i tij përfshin një perandori të vogël, një zinxhir hotelesh, pasuri të paluajtshme dhe dy klube futbolli spanjollë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.