KONGO – Mbi 7 000 raste të konfirmuara me Ebola
NAIROBI, 12 shtator /ATSH-DPA/- Numri i rasteve të konfirmuara me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka kaluar 7000, sipas të dhënave më të fundit të autoriteteve shëndetësore.
Epidemia, e shpallur zyrtarisht në mes të majit, është përhapur tashmë në shtatë provinca të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare, janë regjistruar 7,022 raste, ndërsa 3 398 persona kanë humbur jetën.
Aktualisht, 837 persona ndodhen në izolim ose po marrin trajtim.
Ekspertët besojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë raste mund të mos jenë raportuar.
Virusi mendohet se është përhapur për muaj të tërë pa u zbuluar.
Megjithëse numri i rasteve është rritur me ritmin më të shpejtë të regjistruar ndonjëherë gjatë një epidemie të Ebolës, autoriteti afrikan i shëndetit “Africa CDC” shpreson se përhapja mund të fillojë së shpejti të ngadalësohet.
Në disa zona të provincës Ituri, në verilindje të Kongos, është vërejtur një rënie e lehtë e rasteve.
Edhe rritja e numrit të viktimave është ngadalësuar disi, ndërsa ekspertët e lidhin këtë me faktin se më shumë njerëz po kërkojnë ndihmë mjekësore në fazat e hershme të sëmundjes.
Ebola është një sëmundje e rëndë dhe potencialisht vdekjeprurëse.
Virusi përhapet përmes kontaktit fizik dhe kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar.
Sëmundja shkakton temperaturë të lartë, diarre dhe, në raste të rënda, gjakderdhje.
Sipas raportit, nuk ka aktualisht një vaksinë ose trajtim specifik për llojin e virusit që po shkakton këtë epidemi, i njohur si “Bundibugyo”. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.