Kongresi i Beratit, 104 vjet nga vendimi historik për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare
TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Akademia e Shkencave të Shqipërisë përkujtoi Kongresin e Beratit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare u mbajt nga datat 10 deri më 19 shtator 1922.
Klerikë dhe laikë nga trevat ortodokse të vendit, të udhëhequr nga Atë Josif Qirici u mblodhën në mjediset e shkollës së lagjes “Mangalem” për të vendosur mbi fatin e Kishës Ortodokse Shqiptare.
Kërkesat për pavarësinë e kishës kishin nisur që në kohën e Rilindjes dhe ishin forcuar pas shpalljes së Pavarësisë dhe Kongresit të Lushnjës. Kongresi i Lushnjës krijoi klimën e nevojshme politike dhe vetëdijen e lartë shtetërore që i dha hovin përfundimtar klerit dhe laikëve ortodoksë shqiptarë për të kërkuar pavarësinë fetare në Berat në shtator të vitit 1922.
Megjithëse në Shqipëri mungonin episkopët e rregullt, gjë që e vështirësonte legjitimitetin kanonik, dhe megjithëse marrëdhëniet me Patrikanën Ekumenike kërkuan vite negociatash deri në njohjen zyrtare të vitit 1937, vendimi i Beratit mbeti themeli i Autoqefalisë.
Ky kongres ka një rëndësi të veçantë kombëtare, sepse forcoi identitetin shqiptar duke e shkëputur kishën nga ndikimet e huaja, dhe një rëndësi fetare, sepse për herë të parë liturgjia në gjuhën shqipe u bë normë, duke afruar besimtarët me fenë në gjuhën amtare.
Përkundër sfidave të brendshme dhe përplasjeve mes klerikëve, kongresi arriti të ruajë
konsensusin mbi autoqefalinë, duke dëshmuar fuqinë e bashkimit për një kauzë kombëtare.
Përkujtimi i Kongresit të Beratit është një vlerësim i lartë për vizionin e delegatëve të vitit 1922, të cilët i dhanë Shqipërisë një kishë të lirë në një shtet të lirë, duke e vendosur gjuhën shqipe dhe pavarësinë shpirtërore në zemër të jetës fetare e kombëtare.
/k.s/j.p/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.