Konsullata serbe në Shkodër, Tabaku i kërkon llogari qeverisë: Publikoni vendimin dhe interesin shtetëror!
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar pas raportimeve në media se qeveria shqiptare po i hap rrugë krijimit të një konsullate serbe në Shkodër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku kërkon transparencë të plotë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa kundërshton paraqitjen e kësaj nisme si një marrëdhënie reciprociteti me mundësinë e hapjes së një konsullate shqiptare në Bujanoc.
“A ka reciprocitet mes 54 serbëve dhe 61 mijë shqiptarëve?”, pyet deputetja demokrate.
Tabaku u referohet të dhënave të Censit të vitit 2023, sipas të cilave në qarkun e Shkodrës janë regjistruar vetëm 54 banorë të deklaruar me përkatësi etnike serbe, ndërsa në të gjithë Shqipërinë numri i tyre është 584.
Nga ana tjetër, regjistrimi zyrtar i vitit 2022 në Serbi numëron 61.687 shqiptarë, të përqendruar kryesisht në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sipas Tabakut, këto të dhëna tregojnë se komuniteti shqiptar në Serbi është mbi 105 herë më i madh se numri i përgjithshëm i serbëve në Shqipëri dhe mbi 1.140 herë më i madh se komuniteti serb në qarkun e Shkodrës.
“Prandaj, nuk mund të vendoset shenjë barazimi ndërmjet gatishmërisë së Serbisë për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës shqiptare për një konsullatë në Bujanoc dhe hapjes së një konsullate serbe në Shkodër. Gatishmëria nuk është konsullatë e hapur dhe funksionale”, deklaron ajo.
Deputetja e PD-së thekson se qeveria shqiptare nuk ka bërë publik ndonjë vlerësim që të dokumentojë nevojën konkrete për shërbime të reja konsullore serbe në Shkodër. Në të njëjtën kohë, ajo sjell në vëmendje shqetësimet e vazhdueshme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për pasivizimin e adresave, përfaqësimin e pamjaftueshëm në institucionet shtetërore dhe përdorimin e gjuhës shqipe.
“Reciprociteti nuk shpallet me deklarata. Ai provohet me të drejta të barabarta dhe masa konkrete”, nënvizon Tabaku.
Ajo e lidh këtë zhvillim edhe me deklaratën e ministres serbe Snežana Paunović, e cila, sipas raportimeve të cituara në reagim, është shprehur se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Tabaku e cilëson këtë gjuhë të papranueshme dhe paralajmëron se një qeveri që pretendon të ecë drejt Evropës nuk mund të normalizojë deklarata të tilla.
“Shqipëria duhet të ndërtojë ura bashkëpunimi me fqinjët, por ura të mbështetura mbi transparencë, barazi, respekt për viktimat dhe reciprocitet real, jo mbi simbolika të mjegullta, pazare të vogla apo qoka personale”, shprehet ajo.
Në përfundim, Tabaku kërkon që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të publikojë vendimin, bazën ligjore, llojin e konsullatës, kandidaturën për konsull dhe interesin konkret shtetëror që justifikon hapjen e saj në Shkodër.
“Diplomacia shqiptare nuk është oborri personal i Kryeministrit. Ajo duhet t’i shërbejë interesit kombëtar dhe qytetarëve shqiptarë”, përfundon deputetja demokrate.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.