Kosova drejt seancës së 6 gushtit, mbetet e paqartë marrëveshja për presidentin
Pa një marrëveshje të arritur mes spektrit politik, Kosova po shkon drejt seancës së 6 gushtit kur pritet të konstituohet Kuvendi. Duke parë qëndrimet e deritanishme të partive politike, njohës të fushës shprehen skeptik nëse do të arrihet një marrëveshje për presidentin.
Andaj, ata kërkojnë që të paktën Kuvendi e Qeveria të formohen sa më shpejt në mënyrë që derisa të përfundojë afati për zgjedhjen e presidentit, të kalohen një pjesë e projektligjeve të rëndësishme për vendin, sidomos të shtyhen para çështjet që lidhen me planin e rritjes.
Në mungesë të një ujdie për formimin e institucioneve, Kosova po shkon drejt seancës konstituive të Kuvendit. Parlamenti i ri pritet të formohet, e bashkë me të sipas analistëve edhe qeveria e re, por dilema ka për pozitën e presidentit.
Njohës të zhvillimeve politike shprehen skeptikë se spektri politik do të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e kreut të shtetit duke parë qëndrimet e deritanishme të tyre.
“Vërehet që nuk do të mund të jetë ose të ketë ndonjë marrëveshje eventuale në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndonjë partie tjetër. Në këtë rast, siç i mbeti në para se të deklarohet zoti Abdixhiku, ndonjë marrëveshje me LDK-në. Dhe kështu po besoj që do të hyjmë në një situatë ku votohet atë ditë kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët për të konstituuar Kuvendi. Ndoshta mund të votohet Qeveria nëse zoti Kurti i ka shumicën e nevojshme të deputetëve të komuniteteve joshumicë, sepse është folur se nuk i ka të gjithë gati se. Dhe të hyjmë në afatin për zgjedhjen e presidentit”, tha Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Megjithatë, Jakaj është shprehur se derisa të konsumohet afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit, deputetët duhet t’i shtyjnë para në Kuvend ligjet që lidhen me Planin e Rritjes.
“Vlerësojmë që veçanërisht çështjet që lidhen me Planin e Rritjes, do të duhej me u intensifikuar punët në mënyrë që të zbatohen dhe të kemi një rezultat të fundit të mirë, sepse nga ai rezultat i mirë i politikave që mund të miratohen do të varet edhe disbursimi i qindra miliona eurove nga Bashkimi Evropian”, shtoi ai.
Mungesa e institucioneve, për njohës të fushës, e ka dëmtuar Kosovën edhe në politikën e jashtme.
“Kur nuk kemi Qeveri funksionale nuk kemi Kuvend funksional edhe rrjedhimisht në krejt këtë saga politike, nëse mund ta quaj ashtu, është natyrisht duke u dëmtuar edhe diplomacia e Kosovës. E kemi humbur disa raste, disa momentume kur Kosova ka mundur të bëjë presion që të shqyrtohet aplikimi ose të aplikojë pak më herët dhe të shfrytëzojë momentume për statusin kandidat”, theksoi Arbresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike
Me afrimin e seancës konstituive të Kuvendit, është shtuar presioni për spektrin politik për arritjen e një marrëveshjeje për ta nxjerrë vendin nga bllokada institucionale./RTK



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.