Kosovës i shtohen edhe 70 MW energji të erës
70 MW të reja të energjisë së erës tashmë janë në funksion me përfundimin e Parkut të Erës në Zatriq. Prodhimi vjetor prej rreth 185 GWh energji pritet të kontribuoj në zëvendësimin e importit.
Në Zatriq të Komunës së Rahovecit është përuruar Parku i Erës, me kapacitet të instaluar prej 70 MW, një nga investimet më të rëndësishme në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen energjetike të vendit, “një të ardhme në të cilën energjia prodhohet gjithnjë e më shumë nga burime të pastra”.
“Kosova ka potencial të madh për energji të ripërtëritshme. Prandaj, si qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke ndërmarrë hapa konkretë për ta shfrytëzuar këtë potencial, përmes investimeve të mençura dhe në interes të qytetarëve dhe të gjeneratave që vijnë”.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se Rahoveci po bëhet qendra e energjisë së ripërtërishme në Kosovë, është komuna e parë në Kosovë që ka kapacitete energjetike të erës dhe do të ketë edhe kapacitete solare.
“Me 185 GWh orë energji të pastër në vit, projekti ka potencialin që të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive. Dhe përtej saj, fakti që po flasim për energji të erës, për kapacitete që kryesisht prodhojnë gjatë motit të ftohtë, kur kemi nevojë për më shumë energji, do të thotë që kontributi i këtij parku të erës prej 70 MW është i rëndësishëm për sektorin tonë energjetik dhe veçanërisht për zvogëlimin e importit gjatë muajve të ftohtë të dimrit”, tha Rizvanolli.
Financimi i projektit është bërë nga banka gjermane Helaba, ndërsa është garantuar nga agjencia zvicerane për sigurimin e eksporteve SERV (Swiss Export Risk Insurance).
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, e ngarkuara me punë në Ambasadën e Turqisë në Kosovë, Sheyda Çimeli Aydin, drejtori i Bordit të “Çalik Holding”, Ahmet Çalik, drejtori i përgjithshëm i “Çalik Renewables”, Emre Erdogan, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe partnerëve të projektit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.