☀️
Tiranë 17°C · Kthjellët 04 Tetor 2026
S&P 500 7,723 ▲0.73%
DOW 51,177 ▲0.49%
NASDAQ 27,191 ▲1.19%
NAFTA 91.11 ▼1.9%
ARI 4,162 ▼0.95%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1251 EUR/GBP 0.8509 EUR/CHF 0.9325 EUR/ALL 92.0710 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4787 EUR/TRY 55.2893 EUR/JPY 178.17 EUR/CAD 1.6031 EUR/USD 1.1251 EUR/GBP 0.8509 EUR/CHF 0.9325 EUR/ALL 92.0710 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4787 EUR/TRY 55.2893 EUR/JPY 178.17 EUR/CAD 1.6031
₿ CRYPTO
BTC $85,343 ▲ +0.43% ETH $2,702 ▲ +0.55% XRP $1.5018 ▲ +0.62% SOL $121.5400 ▲ +1.31%
S&P 500 7,723 ▲0.73 % DOW 51,177 ▲0.49 % NASDAQ 27,191 ▲1.19 % NAFTA 91.11 ▼1.9 % ARI 4,162 ▼0.95 % S&P 500 7,723 ▲0.73 % DOW 51,177 ▲0.49 % NASDAQ 27,191 ▲1.19 % NAFTA 91.11 ▼1.9 % ARI 4,162 ▼0.95 %
EUR/USD 1.1251 EUR/GBP 0.8509 EUR/CHF 0.9325 EUR/ALL 92.0710 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4787 EUR/TRY 55.2893 EUR/JPY 178.17 EUR/CAD 1.6031 EUR/USD 1.1251 EUR/GBP 0.8509 EUR/CHF 0.9325 EUR/ALL 92.0710 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4787 EUR/TRY 55.2893 EUR/JPY 178.17 EUR/CAD 1.6031
04 Tet 2026
Breaking
Opinion

Kur shoqëria humb kufirin mes publikes dhe privates

Nga ILIR ÇUMANI

KUR SHOQËRIA HUMB KUFIRIN MES PUBLIKES DHE PRIVATES

Materialet audiovizuale që kanë pushtuar me një intensitet të jashtëzakonshëm rrjetet sociale dhe ekranet shqiptare nuk mund të trajtohen thjesht si një tjetër histori rozë e showbizit shqiptar.

Përmasat e përhapjes së tyre, mënyra se si po konsumohen dhe reagimi që kanë prodhuar në publik e bëjnë këtë fenomen shumë më tepër se një ngjarje të zakonshme të botës së spektaklit.

Ajo që po ndodh kërkon një vështrim tjetër, më të ftohtë, më të thelluar dhe përtej kuriozitetit që ushqen zakonisht një histori showbizi.

Historia e vërtetë ndodhet një hap më tej: te dëshira kolektive, pothuajse e shfrenuar, për të parë; te kënaqësia e fshehtë e turmës; te mekanizmi që e shndërron jetën private të një njeriu në mall publik.

Pikërisht këtu nis një problem shumë më i madh se një video, një personazh i njohur apo një episod intim. Nis problemi i kufirit midis asaj që na përket dhe asaj që i përket tjetrit, midis informacionit dhe voyeurizmit (dëshirës për të vëzhguar jetën e tjetrit), midis interesit publik dhe kuriozitetit, midis gazetarisë dhe konsumit të turpit njerëzor. Mbi të gjitha, midis qytetarit dhe turmës.

Në gjithë historinë e njerëzimit, njeriu ka pasur gjithmonë kureshtje për jetën e tjetrit dhe kjo nuk është një shpikje e re e epokës së internetit. Që nga komunitetet më të hershme njerëzore, jeta e tjetrit ka qenë objekt vëzhgimi, gjykimi, thashethemi dhe kureshtjeje.

Në shoqëritë tradicionale, megjithatë, ekzistonte një kufi fizik. Sekreti udhëtonte nga një gojë te tjetra, një histori përhapej nga një lagje në tjetrën, por ajo ndiqte ritmin e ngadaltë, të heshtur e njerëzor të kohës.

Teknologjia e ka shkatërruar këtë ritëm. Sot, një sekret nuk udhëton më nga njëri te tjetri; ai shpërthen menjëherë në përmasa të paimagjinueshme, duke marrë me vete edhe pasoja që askush nuk i parashikon. Një imazh nuk kalon më dorë më dorë, por shumëfishohet me një shpejtësi marramendëse, duke dalë brenda pak çastesh jashtë çdo mundësie kontrolli.

Tashmë, një material intim nuk mbetet në rrethin e disa njerëzve apo miqve konfidencialë, por mund të shndërrohet brenda pak minutash në objekt të mijëra, madje miliona syve.

Dhe këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të epokës digjitale: sa më shumë mjete të kemi për të komunikuar, aq më e brishtë bëhet e drejta e njeriut për të qenë vetëm.

Privatësia dikur konsiderohej një hapësirë natyrore e ekzistencës, ndërsa sot duhet të mbrohet si një territor. Dhe kur ky territor pushtohet, dëmi nuk mbaron me publikimin e parë. Ai fillon pikërisht aty. Çdo klikim e zgjat jetën e materialit. Çdo rishpërndarje e rikrijon ekspozimin. Çdo koment i shton viktimës një tjetër shtresë gjykimi. Çdo kërkim e ushqen mekanizmin që e mban atë përmbajtje gjallë.

Në këtë pikë, ajo që filloi si shkelje e privatësisë shndërrohet në një proces kolektiv të konsumimit të dinjitetit të tjetrit.

Por pse duam të shohim atë që nuk na përket? Kjo është pyetja më interesante, sepse problemi nuk gjendet vetëm te ai që e regjistron apo e shpërndan materialin, por edhe te publiku që e kërkon.

Psikologjia njerëzore ka një marrëdhënie të ndërlikuar me të ndaluarën. Ajo që fshihet shpesh bëhet më tërheqëse. Ajo që shoqëria e mbulon me turp mund të zgjojë një kureshtje të veçantë. Intimiteti është pikërisht një prej atyre territoreve ku takohen dëshira, turpi, seksualiteti, xhelozia, pushteti dhe frika e ekspozimit.

Kur këto elemente hidhen në hapësirën publike, krijohet një përzierje e fuqishme psikologjike: njeriu e di se nuk duhet të shohë, por pikërisht kjo e bën më të vështirë të mos shohë.

Këtu voyeurizmi pushon së qeni vetëm një sjellje individuale dhe shndërrohet në fenomen social. Turma ndihet më pak përgjegjëse se individi. Kur një mijë njerëz shohin, secili prej tyre mund të mendojë se përgjegjësia është diku tjetër. “Unë vetëm e hapa.”“Unë vetëm e pashë.” “Unë vetëm ia dërgova një shoku.” “Unë vetëm bëra një koment.” Por mijëra “vetëm” të tilla ndërtojnë një makineri të tërë.

Askush nuk e ndien veten autor të dëmit dhe, megjithatë, dëmi ekziston. Ky është një nga paradokset më të errëta të turmës digjitale: përgjegjësia shpërndahet në mijëra duar dhe, pikërisht për këtë arsye, duket sikur nuk ekziston askund.

Në këtë mekanizëm ka edhe një element tjetër, shumë të rëndësishëm: ekonomia e vëmendjes. Interneti nuk shpërblen domosdoshmërisht atë që është më e rëndësishme.

Shpesh shpërblen atë që shkakton reagimin më të fortë. Dhe çfarë shkakton më shumë reagim se seksi, tradhtia, skandali, turpi, fama dhe rrëzimi publik i një personazhi?

Kështu njeriu pushon së qeni subjekt dhe bëhet përmbajtje. Një jetë njerëzore reduktohet në disa sekonda. Një marrëdhënie reduktohet në një titull. Një trup bëhet klikim. Një familje bëhet koment. Një dramë personale bëhet trafik.

Ky është ndoshta ndryshimi më i madh antropologjik që po përjetojmë: dikur komuniteti e gjykonte individin përmes pranisë fizike, ndërsa sot turma digjitale mund ta gjykojë pa e njohur fare.

Dikur reputacioni ndërtohej dhe shkatërrohej brenda një komuniteti relativisht të përcaktuar, kurse sot një njeri mund të ekspozohet para njerëzve që nuk do t’i takojë kurrë në jetë.

Një ngjarje që për publikun zgjat disa minuta mund të mbetet për personin e prekur një traumë me pasoja të rënda për vite me radhë, madje të parikuperueshme.

Kjo e ndryshon vetë kuptimin e turpit. Turpi nuk është më vetëm një emocion personal, por kjo ndjesi mund të shndërrohet në një dënim social pa afat.

Dhe këtu shfaqet një e vërtetë që shpesh harrohet: një figurë publike nuk është pronë publike dhe fama nuk është kontratë për dorëzimin e privatësisë.

Një aktor, këngëtar, gazetar, politikan apo personazh televiziv mund të jetë objekt i interesit publik për veprimtarinë e tij, për deklaratat që bën, për funksionin që ushtron apo për përgjegjësitë që mban.

Por statusi publik nuk e zhduk njeriun privat. Ai nuk e anulon familjen, trupin, intimitetin dhe, mbi të gjitha, të drejtën për të pasur një hapësirë ku publiku nuk ka të drejtë të hyjë. Sepse këtu qëndron një dallim themelor, pa të cilin çdo debat për jetën private humbet kuptimin: interesi i publikut nuk është e njëjta gjë me kuriozitetin e publikut.

Një informacion mund të jetë shumë interesant dhe përsëri të mos ketë asnjë interes të vërtetë publik.

Pikërisht këtu duhet të vendoset edhe kufiri i gazetarisë. Gazetaria serioze nuk vlerësohet si e tillë vetëm me atë që arrin të publikojë, por edhe me atë që zgjedh të mos publikojë. Fuqia e medias nuk qëndron vetëm në aftësinë për të ekspozuar, por edhe në aftësinë për të kuptuar pasojat e ekspozimit.

Pyetja profesionale nuk duhet të jetë vetëm “a është e vërtetë?”, por edhe “a është e nevojshme?”, “a i shërben kjo publikut?”, “çfarë përgjegjësie kemi ndaj njerëzve që do të preken?”, “a po zbulojmë një abuzim apo thjesht po ushqejmë kureshtjen?”.

Një material mund të jetë autentik dhe përsëri të mos jetë i denjë për publikim. E vërteta faktike nuk është automatikisht e njëjtë me të drejtën për publikim.

Por në gjithë këtë histori ekziston edhe një dimension politik që duhet trajtuar me kujdes. Është e lehtë, sidomos në një klimë të polarizuar, të thuhet se pas çdo skandali ekziston një dorë politike.

Një pretendim i tillë kërkon prova dhe nuk mund të ndërtohet vetëm mbi sinkronizimin e ngjarjeve, duke ngritur teori konspirative që ushqejnë dhe nxisin imagjinatën publike. Por politika nuk mungon në këtë histori as në një kuptim tjetër, shumë më të thellë. Politika ka të bëjë edhe me vëmendjen.

Demokracia nuk varet vetëm nga ajo që qytetarët dinë, por edhe nga ajo ku zgjedhin të përqendrojnë vëmendjen e tyre.

Një shoqëri mund të ketë një sasi të pafundme informacioni dhe, përsëri, të mos jetë e informuar për atë që ka vërtet rëndësi. Kjo ndodh kur emocionet dhe temat që tërheqin më shumë vëmendje i largojnë vazhdimisht qytetarët nga çështjet që kërkojnë fakte, dokumente, hetim dhe përgjegjësi.

Demokracia nuk dëmtohet vetëm kur mungon informacioni, por edhe kur vëmendja drejtohet vazhdimisht te ajo që emocionon, në vend që të përqendrohet te ajo që ka rëndësi.

Nuk është e domosdoshme të ekzistojë një regjisor që të prodhojë shpërqendrimin, por mund të mjaftojë vetë mekanizmi i tregut të vëmendjes.

Mjafton që portalet të ndjekin klikimet, algoritmet të shpërblejnë reagimin emocional dhe publiku të kërkojë spektaklin.

Mjafton që një dokument financiar të duket i mërzitshëm, ndërsa një video intime të bëhet virale. Mjafton gjithashtu që debati mbi institucionet të zëvendësohet nga debati mbi marrëdhëniet private të njerëzve. Në atë pikë, nuk kemi më nevojë për censurë, sepse vetë shoqëria e ka zhvendosur vëmendjen.

Kjo është arsyeja pse problemi është edhe politik, edhe pse nuk duhet ta reduktojmë domosdoshmërisht në një komplot politik. Në një demokraci, vëmendja publike është një burim pushteti. Aty ku shkon vëmendja, shkon edhe debati. Aty ku shkon debati, shkon presioni publik. Dhe aty ku shkon presioni, mund të shkojë edhe përgjegjësia.

Prandaj një shoqëri që konsumon pa kufi jetën intime të individëve rrezikon të humbasë aftësinë për të dalluar atë që është interesante nga ajo që është e rëndësishme.

Një video mund të jetë jashtëzakonisht interesante dhe të mos ketë asnjë rëndësi publike. Një kontratë, një vendim administrativ, një tender, një dokument institucional mund të jetë i mërzitshëm për t’u lexuar dhe, megjithatë, të ketë pasoja mbi jetën e mijëra njerëzve.

Këtu qëndron edhe rreziku më i madh për një shoqëri demokratike: jo vetëm fshehja e informacionit, por banalizimi i informacionit të rëndësishëm përmes një përmbytjeje të vazhdueshme me materiale që prodhojnë emocion.

Kur gjithçka bëhet spektakël, asgjë nuk mbetet më vërtet serioze. Kur çdo ditë prodhohet një skandal, vetë fjala “skandal” humbet peshën. Kur çdo personazh publik shndërrohet në objekt gjuetie, publiku fillon të harrojë se pas ekranit ekzistojnë njerëz.

Dhe këtu duhet të kthehemi te dimensioni njerëzor, sepse ai është më i rëndësishmi. Në një video mund të shfaqen dy apo tre njerëz, por pas tyre mund të ketë prindër, fëmijë, bashkëshortë, vëllezër, miq, kolegë dhe njerëz që nuk kanë bërë asgjë, por që detyrohen të jetojnë me pasojat e ekspozimit.

Ndërkohë që publiku sheh një ekran, familja mund të përjetojë një krizë. Kur publiku sheh një material të jetës intime të dikujt, ai dikush tjetër mund të përjetojë turp, frikë, izolim, ankth dhe humbje të kontrollit mbi jetën e vet. Publiku e mbyll telefonin dhe e vazhdon normalisht ritmin e ditës, por personi i ekspozuar mund të mos ketë më mundësi ta mbyllë historinë.

Kjo është arsyeja pse duhet të ndryshojmë edhe pyetjen. Nuk mjafton të pyesim nëse materiali është i vërtetë, por si u sigurua ky material i jetës private të dikujt, me çfarë të drejte u publikua, kush përfiton nga shpërndarja e tij dhe çfarë pasoje prodhon.

Kur institucionet hetojnë mënyrën se si janë siguruar dhe shpërndarë materiale intime, pyetja institucionale zhvendoset nga kurioziteti mbi përmbajtjen te përgjegjësia për shkeljen e privatësisë.

Ky është një ndryshim thelbësor, sepse një shoqëri e shëndetshme nuk duhet të merret vetëm me atë që u pa, por edhe me arsyen pse u bë e mundur që ajo të shihej pa pëlqimin e personave të përfshirë.

Ndoshta këtu qëndron paradoksi më i madh i gjithë kësaj historie. Ne jetojmë në një kohë kur flasim shumë për lirinë, por harrojmë se liria nuk është vetëm liria për të parë dhe për të publikuar. Është edhe liria e tjetrit për të mos u ekspozuar. Flasim për të drejtën e publikut për të ditur, por harrojmë se ajo e drejtë nuk është e pakufishme. Flasim për transparencën, por ngatërrojmë transparencën institucionale me zhveshjen e individit nga privatësia. Flasim për gazetarinë, por nganjëherë e ngatërrojmë gazetarinë me aftësinë për të tërhequr klikime.

Një shoqëri e civilizuar nuk është ajo që di gjithçka për të gjithë, por që më së shumti di se çfarë nuk ka të drejtë të kërkojë të dijë. Një media e përgjegjshme nuk është ajo që publikon çdo gjë që arrin të marrë në dorë, por që di të vendosë kufirin midis informacionit dhe dëmit. Një qytetar i lirë nuk është ai që klikon çdo gjë që i serviret, por që ka aftësinë të pyesë veten nëse po informohet apo po përdoret.

Prandaj, në fund, çështja nuk është vetëm se çfarë ka ndodhur në jetën private të disa njerëzve, por çfarë ndodh edhe me ne si shoqëri. Çfarë po ndodh me kufijtë tanë, me turpin tonë, me kureshtjen tonë, me etikën tonë, me gazetarinë tonë, me politikën tonë dhe me mënyrën se si e konsumojmë dhimbjen e tjetrit.

Kur një shoqëri e humbet ndjeshmërinë ndaj privatësisë, humbet gradualisht edhe ndjeshmërinë ndaj dinjitetit. Dhe kur dinjiteti i tjetrit bëhet përmbajtje, të gjithë varfërohemi pak si njerëz.

Ndoshta prandaj pyetja më e rëndësishme nuk është ajo që na shtyn të klikojmë. Nuk është as: “Çfarë kishte në video?”

Pyetja e vërtetë është shumë më e pakëndshme dhe, njëkohësisht, shumë më njerëzore: Çfarë kishte brenda nesh që na bëri të donim ta shihnim?

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.