Kurti diskuton me Alain Bersetin anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku temë kryesore ishte anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë vazhduar diskutimet për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke theksuar rëndësinë që vendi të bëhet pjesë e kësaj organizate evropiane.
Përmes një postimi, Kurti ka thënë se anëtarësimi do t’u mundësonte qytetarëve të Kosovës qasje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Është tejet e rëndësishme që, nëpërmjet pranimit në Këshill, Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka deklaruar Kurti.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare që ka në fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë konsiderohet një prej synimeve të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit, pasi do të mundësonte përfshirjen në mekanizmat e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe do të krijonte mundësinë që qytetarët t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pas shterimit të mjeteve juridike vendore.
Kurti ka theksuar gjithashtu se anëtarësimi do të kontribuonte në avancimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë./Telegrafi.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.