BAKU – Wadephul kundërshton nevojën për një rend të ri të sigurisë në Evropë
BAKU, 18 nëntor /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e konsideron të panevojshme negociimin e një arkitekture të re të sigurisë evropiane për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne nuk kemi nevojë për një rend të ri të sigurisë në Evropë. Na duhet vetëm pranimi i rregullave dhe parimeve për të cilat kemi rënë dakord prej kohësh”, deklaroi sot Wadephul gjatë një vizite në Azerbajxhan.
Këto përfshijnë Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975, të Konferencës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, si dhe Kartën e Parisit të vitit 1990, të cilat u nënshkruan edhe nga Bashkimi Sovjetik i atëhershëm.
“Në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, Rusia, si pasardhëse ligjore e Bashkimit Sovjetik, ishte zotuar të respektonte sovranitetin e Ukrainës”, tha Wadephul.
“Nëse kjo është baza për bisedimet e mëtejshme, atëherë një marrëveshje mund të arrihet shpejt”, u shpreh ai. “Për sa kohë që kjo nuk ndodh, Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Ukrainën, në mënyrë që ajo të përballojë agresionin rus”, shtoi Wadehpul.
Ideja që paqja në Ukrainë të vendoset brenda një rendi të ri evropian të sigurisë vjen kryesisht nga bisedimet dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
SHBA-ja synon që, në këtë mënyrë, të përfshijë edhe evropianët në procesin e negociatave.
Megjithatë, shumica e politikanëve evropianë theksojnë se një rend i tillë sigurie ekziston tashmë. Problemi, sipas tyre, është se Moska e ka shkelur atë përmes luftës kundër Ukrainës.
Rusia vazhdon të paraqesë kërkesa të ndryshme, përfshirë një dokument të fundit të vitit 2021, në të cilin kërkonte zmbrapsjen e zgjerimit të NATO-s drejt vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.
Wadephul pret që SHBA-ja të luajë një rol të rëndësishëm në ofrimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, pasi lufta e Rusisë të përfundojë.
“Besoj se përfshirja e Shteteve të Bashkuara është e nevojshme dhe e arsyeshme, dhe se kjo është gjithashtu një mirëkuptim i përbashkët për të ardhmen”, deklaroi diplomati i lartë gjerman në kuadër të vizitës në kryeqytetin armen, Erevan, përpara takimit të “Koalicionit të të Vullnetshmeve” në mbështetje të Ukrainës, që do të zhvillohet nesër në Berlin.
Ai u shpreh se ishte “plotësisht i bindur” që evropianët do të mund të zhvillonin “një mirëkuptim të përbashkët me Shtetet e Bashkuara për mënyrën se si këto garanci sigurie mund të zbatohen në mënyrë të besueshme”. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.