Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për kompleksin e “Jetimat e Ballkanit” në Graçanicë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se vendimi i Qeverisë për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, persona të rritur dhe të moshuar” është në përputhje me Kushtetutën.
Në aktgjykimin KO84/25, Gjykata e shpalli të pranueshme kërkesën e Komunës së Graçanicës, por me gjashtë vota për dhe një kundër konstatoi se Vendimi nr. 05/218 i Qeverisë, i datës 28 gusht 2024, nuk cenon kompetencat e vetëqeverisjes lokale dhe është në pajtim me dispozitat kushtetuese që rregullojnë pushtetin lokal.
Po ashtu, Gjykata shfuqizoi masën e përkohshme që kishte pezulluar zbatimin e vendimit, si dhe vendimet pasuese për vazhdimin e saj.
Rasti lidhet me vendimin e Qeverisë për ndërtimin e kompleksit rezidencial për personat me autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuara në disa parcela kadastrale që ishin në pronësi të Komunës së Graçanicës. Sipas vendimit, pjesë të këtyre parcelave kalojnë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe i jepen në shfrytëzim për 99 vjet Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”.
Komuna e Graçanicës kishte kundërshtuar vendimin, duke pretenduar se Qeveria kishte vepruar në mënyrë të njëanshme, pa konsultim me autoritetet komunale, se ishte cenuar prona komunale dhe se projekti mund të kishte pasoja mjedisore, përfshirë dëmtimin e sipërfaqeve pyjore.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se legjislacioni në fuqi i jep përparësi interesit publik në rastet e administrimit dhe bartjes së pronës publike. Sipas Gjykatës, Ligji për Pronën Publike obligon pushtetin lokal dhe atë qendror të bashkëpunojnë për realizimin e projekteve me interes publik dhe parasheh që prona e nevojshme për realizimin e një interesi publik të Kosovës mund t’i bartet shtetit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se gjatë shqyrtimit të rastit asnjëra palë nuk e kishte kontestuar ekzistimin e interesit publik për ndërtimin e qendrës rezidenciale. Po ashtu, u konstatua se projektet alternative të përmendura nga Komuna e Graçanicës, përfshirë një projekt me KRU “Prishtina” dhe një park diellor, nuk ishin realizuar.
Gjykata vuri në pah edhe qëndrimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës se projekti ndërlidhet me zbatimin e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara.
Në përfundim, Gjykata konstatoi se vendimi i Qeverisë nuk cenon autonominë lokale, nuk zvogëlon të hyrat komunale dhe nuk e privon Komunën e Graçanicës nga ushtrimi i kompetencave të saj kushtetuese.
Sipas aktgjykimit, ndërtimi i qendrës rezidenciale për personat me autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuara është në interes publik dhe kontribuon në avancimin e mbrojtjes sociale dhe të drejtave të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë./Telegrafi.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.