Kuvend- Koreshi kërkon llogari për Spitalin e Lushnjës: Pacientët në qenefhane. Sala: Nën rikonstruksion, por vijon normalisht aktivitetin
Në seancën e sotme (21 maj) u zhvillua një interpelancë mes deputetit demokrat Samir Korreshi dhe ministres së Shëndetësisë Evis Sala, ku në qendër të debatit ishte gjendja e Spitalit të Lushnjës.Korreshi akuzoi ministren për zhvendosjen e godinës së spitalit pa leje ndërtimi të zbardhur prej muajsh dhe për mungesën e kushteve elementare. Ai renditi mungesat e barnave dhe materialeve mjekësore.“Pse e keni zhvendosur godinën e spitalit, ku është dhe sot dhe nuk zbardhët lejen e ndërtimit prej 8 muajsh. Kush mban këtë përgjegjësi që të gjithë pacientët të rrinë në një qenefhane. Pse nuk vini, bashkë me mua të vizitojëm ambientet e spitalit? Ministrja e shëndetësisë rri në aeroplan, apo kontrollon institucionet në varësi të saj? Te kjo godina e re që bëni, si ka mundësi që para 3 vitesh u dhanë 300 mln për urgjencën e re, ku iku ky investim? Si shpjegohet që u zhveshën prap muret nga e para?! Në spitalin e Lushnjës mungon alkooli, vigoni…. paracetamol intravenoz, omeprazol intravenoz, diklofenak ampulë, buskopan apulë, serumet ringer, vigonat në pediatri, mungojnë. Në vitin 2024 keni nxjerrë një urdhër për lirim nga detyra të Roland Ziut dha pozicioni i zv.drejtorit ekonomik për shkak të mos përmbushjes me korrektësi dhe në mënyrë funksionale në mënyrë të përsëritur të detyrave. Në 2025 e gradoni drejtor. Sa erdhi drejtor ai spostoi ambientet. Je në dijeni ti që nuk keni asnjë lloj eko? Në maternitet mungon kablli, për 1200 euro, syri që bën ekon është prishur, naj na lindin të gjithë lushnjarët në Fier”, tha Korreshi.Ministrja Sala iu kundërpërgjigj duke theksuar se spitali është përfshirë në programin kombëtar të investimeve. Ajo theksoi se Spitali i Lushnjës nuk është strukturë ebraktisur, por një godinë ku po investohet, teksa shtoi se ndërhyrja sjell përkohësisht vështirësi operative, por shërbimet vijojnë në ambiente të riorganizuara.“Ndryshe nga foklori i alarmit, ne zgjedhim punën. Spitali i Lushnjës mbulon mbi 63 mijë banorë dhe funksionin në godina të ndërtuara para viteve ’90. Kjo është një problematikë e trashëguar dhe spitali i Lushnjës është përfshirë në programin kombëtar të investimeve. Investimi ka nisur në 2026 dhe punimet kanë nisur në 4 mars. Fondi i planifikuar për këtë vit është 82 mln lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 mln lekë të tjera. Nuk është një investim fasadë, është një rikonstruksion i plotë infrastrukturorë. Natyrisht një ndërhyrje e këtij niveli sjell përkohësisht vështirësi operative. Por çfarë të bënim? Mos të ndërhynim? Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por më të përgjegjshme, të investojëm duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit. Është miratuar një plan i përkohshëm riorganizimi dhe shërbimet e urgjencës, imazherisë, kirurgjisë dhe reparte të tjera vijojnë aktivitetin e plotë në ambiente të tjera funksionale të spitalit. Ne e mirëpresim kritikën, por nuk mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitale publike si struktura të braktisura, ndërkohë që aty punohet çdo ditë, investohet çdo ditë. Është e lehtë të bësh opozitë me batuta, më e vështirë është të ndërtosh spitale dhe të mbash sistemin në punë gjatë rikonstruksionit, siç po bëjmë. Spitali vijon normalisht aktivitetin dhe përballon një fluks të konsiderueshëm pune”, u shpreh Sala.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.