“L♪7reni të pavarur Bankën e Shqipërisë”- Tabaku për paketën fiskale: Nuk kemi ndonjë lehtësim nga pikëpa
Në diskutimin për buxhetin dhe Paketën Fiskale 2027, deputetja e PD-së ngriti shqetësime për burimet e rritjes, kostot për biznesin e vogël dhe mungesën e analizës së ndryshimeve tatimore.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vuri në diskutim modelin ekonomik të qeverisë gjatë raportimit të Bankës së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për buxhetin dhe Paketën Fiskale 2027.
Ajo kundërshtoi përqendrimin e rritjes në pak sektorë dhe ndryshimet tatimore që, sipas saj, rëndojnë biznesin pa dhënë përgjigje për dobësimin e prodhimit dhe informalitetin.
“Si e gjykoni ndryshimin e bazës së rritjes ekonomike dhe faktin që sot ajo është më e ngushtë dhe e fokusuar vetëm te ndërtimi?”, pyeti Tabaku.
Duke sjellë shembullin e bujqësisë dhe fasonerisë, ajo ngriti shqetësimin se dobësimi i tyre nuk po zëvendësohet nga veprimtari me ndikim të ngjashëm në punësimin dhe të ardhurat e familjeve. Tabaku kërkoi gjithashtu përgjigje për burimet e financimit të ndërtimit, duke e lidhur shqetësimin me pastrimin e parave.
Banka e Shqipërisë identifikoi turizmin si motorin kryesor të rritjes dhe vlerësoi se ekspozimi bankar ndaj ndërtimit mbetet i kontrolluar. Përfaqësuesja e saj pranoi njëkohësisht se ekonomia mbështetet në një strukturë të ngushtë sektoriale dhe se nevojitet zgjerimi i bazës prodhuese.
Për paketën fiskale, Tabaku kërkoi të sqarohej ndikimi i rritjes së TVSH-së në 21%, uljes së saj për 54 produkte dhe përfshirjes së më shumë bizneseve të vogla në skemë.
“Pra, nuk kemi ndonjë lehtësim nga pikëpamja e faturës. Por si gjykoni se do të ndikojnë këto ndryshime në formalizimin ose informalizimin e ekonomisë?”, u shpreh ajo.
Deputetja përballi Bankën me vlerësimet e saj të mëparshme për pragun e TVSH-së dhe tatimin mbi dividendin. Ajo kundërshtoi rritjen e këtij tatimi nga 8% në 15%, ndërsa përfaqësuesja e Bankës shpjegoi se masa krijon premisa për financim më të madh të bizneseve me borxh, pasi kapitali i vet bëhet më i shtrenjtë.
Tabaku kërkoi politika mbështetëse për eksportet dhe prodhimin, duke kritikuar mungesën e një analize të plotë të ndryshimeve fiskale.
“Pasi ndryshoi pesë variante, as qeveria nuk ka një analizë të plotë që ta keni edhe ju”, deklaroi ajo, duke kërkuar një diskutim të mëtejshëm për informalitetin dhe eksportet.
Në replikën me deputetin Erion Braçe, Tabaku e zhvendosi debatin te përgjegjësia politike për ndryshimin e taksave. Ajo kujtoi premtimin e mëparshëm të kryeministrit Edi Rama për përjashtimin e biznesit të vogël nga tatimi mbi fitimin dhe TVSH-ja, duke e përballur me përfshirjen e tij në skemën e re.
“Prandaj ka rëndësi në politikë qëndrueshmëria dhe premtimi që mban me biznesin e vogël”, deklaroi Tabaku. Sipas saj, kostoja e përfshirjes në TVSH do të përcillet te konsumatorët, duke rënduar faturën e qytetarëve.
Tabaku mbrojti gjithashtu pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe të drejtën për t’i kërkuar institucionit vlerësime mbi ndikimin e politikave fiskale në ekonomi.
“Lëreni të pavarur Bankën e Shqipërisë”, u shpreh ajo gjatë debatit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.