Larje hesapesh ose konfliktet për pronësinë/ Pistat e hetimit për plagosjen me 9 plumba të Thimjo Rubatit në Sarandë
Hetimet për atentatin ndaj 50-vjeçarit Thimjo (Sandri) Rubati në Sarandë po vijojnë në disa drejtime, ndërsa grupi hetimor ka përjashtuar si pistë kryesore një konflikt të ndodhur vetëm një natë para ngjarjes mes djalit të tij dhe një oficeri policie.
Sipas burimeve për gazetaren e RTSH, Afrovita Hysaj, edhe pse në të njëjtin vend, një natë para atentatit, djali i Rubatit, 27-vjeçari Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, dyshohet se kanë dhunuar dhe kanosur me thikë oficerin e policisë Mihal Velço. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se kjo ngjarje mund të jetë përdorur nga autorët e atentatit për të larguar vëmendjen dhe për të devijuar hetimet.
Pista ku po përqendrohet aktualisht puna hetimore lidhet me konflikte të mëparshme, larje hesapesh dhe çështje pronësie, të cilat dyshohet se mund të kenë lidhje edhe me konflikte për dokumente dhe falsifikime.
Atentati ndodhi mbrëmjen e së premtes në Sarandë, ku autorët e dyshuar lëviznin me një motomjet dhe mbanin skafandra për të fshehur identitetin. Ata kanë ardhur nga rruga “Mithat Hoxha”, në drejtim të portit, dhe kanë qëlluar ndaj Rubatit me armë zjarri pistoletë të kalibrit 9 mm.
Sipas të dhënave paraprake, janë qëlluar rreth 9 plumba, ndërsa Rubati ka marrë tre plagë dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Pas sulmit, autorët janë larguar në të njëjtën rrugë, drejt zonës së plazheve pranë Baba Rexhepit. Hetuesit dyshojnë se më pas mund të jenë larguar me mjet skaf, ndërsa kanë marrë me vete edhe motorin e përdorur.
Kush është Thimjo Rubati?
Emri i Thimjo Rubatit është i njohur për autoritetet për shkak të disa episodeve të mëparshme të regjistruara në historikun e tij penal.
Rubati rezulton se ka vuajtur dënim edhe në Greqi, ku ishte arrestuar për një çështje të lidhur me vrasje dhe ka dalë nga burgu rreth dy vite më parë.
Në vitin 2018, Gjykata e Tiranës e dënoi me 3 vite burg për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, në kuadër të një skeme kontrabande automjetesh ku dyshohej se ishin përfshirë edhe punonjës doganash. Gjatë kohës që vuante dënimin në Greqi, Gjykata e Apelit në Shqipëri e konvertoi në vitin 2023 dënimin në 2 vite shërbim prove.
Pas kthimit në Shqipëri, në janar 2024, ai u procedua sërish në gjendje të lirë nga Policia e Sarandës, pasi dyshohej se, në bashkëpunim me një person tjetër, kishte trafikuar një automjet tip “Toyota” dhe kishte ndërhyrë në elementët identifikues të tij.
Emri i tij ishte përmendur edhe më herët në hetime dhe raportime publike, përfshirë çështje që lidhen me kontrabandën e automjeteve dhe episode të tjera të regjistruara ndër vite.
Sipas të dhënave të bëra publike, precedentët e tij datojnë që në fillim të viteve 2000, kur ai është arrestuar në Sarandë për dyshime që lidhen me trafikim të paligjshëm emigrantësh, ndërsa më pas është proceduar edhe për çështje të tjera, përfshirë armëmbajtje dhe kontrabandë automjetesh të vjedhura nga Greqia drejt Shqipërisë.
Edhe djali i tij, Andrea Rubati, rezulton me precedentë penalë. Ai u arrestua në vitin 2022 pasi u kap duke drejtuar një automjet të vjedhur në Itali. Ndërsa së fundmi, sipas burimeve policore, ai dyshohet se është përfshirë në një konflikt me oficerin e policisë Mihal Velço dhe ndodhet në kërkim për kanosje dhe dhunim.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për identifikimin e autorëve të atentatit, ndërsa po verifikohen të gjitha pistat që mund të çojnë në zbardhjen e ngjarjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.