LITUANI – Mbyllet aeroporti i Vilniusit pas alarmit për dron, ngrihen avionët e NATO-s
– Aeroporti i Vilniusit në Lituani u mbyll sot për më pak se një orë, pasi autoritetet morën një raportim për një dron të dyshuar që po hynte në territorin lituanez nga drejtimi i Bjellorusisë, raportoi “Reuters”.
Pas alarmit, avionët luftarakë të NATO-s, të angazhuar në misionin e patrullimit ajror në hapësirën ajrore të vendeve baltike, u ngritën për të verifikuar situatën, njoftoi Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave të Lituanisë.
Autoritetet lituaneze thanë se objekti ende nuk ishte identifikuar.
Sipas drejtuesit të Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, Vilmantas Vitkauskas, avionët luftarakë u ngritën për të kryer verifikimet, ndërsa autoritetet morën edhe raportime nga banorë, që pretendonin se kishin parë një objekt të mundshëm në zonën e Vilniusit, në lëvizje drejt Jonava-s. Këto raportime nuk janë konfirmuar.
Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Krizave tha se parametrat e objektit ishin të ngjashëm me ato të një droni, por nuk përjashtoi mundësinë që alarmi të ishte shkaktuar edhe nga një tufë zogjsh.
Autoritetet vijuan verifikimet për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi sinjalizimin.
Gjatë alarmit, autoritetet u kërkuan banorëve të rajonit të Vilniusit të ishin të përgatitur për t’u strehuar nëse do të ishte e nevojshme.
Aeroporti i Vilniusit u rihap pasi alarmi u hoq dhe operacionet e aeroportit rifilluan. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.