Më shumë krime gjatë 2024, INSTAT: Në një vit, ligjin e shkelën mbi 40 mijë qytetarë!

Gjatë 2024-ës u rrit numri i personave që janë akuzuar për krime të ndryshme. Sipas një raporti të INSTAT, gjatë këtij viti, 40,057 qytetarë kanë shkelur ligjin, duke shënuar një rritje me 1.4 % krahasuar me vitin paraardhës.
6,604 prej tyre rezultojnë përsëritës të krimeve. 93,7% e tyre janë meshkuj, ndërsa grupmosha me më shusmë krime është ajo nga 30-44 vjeç.
“Sipas raportit të INSTAT gjatë vitit të shkuar ka patur rritje të numrit të krimeve siç janë ato kibernetike, vrasjet apo dhe vjedhjet”, raporton gazetari Besar Bajraktaraj.
Krime të tjera që janë regjistruar janë dhe ato seksuale, përndjekja apo shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor ndërsa sipas INSTAT, është ulur numri i të akuzuarve për veprat të tjera penale.
Gjatë vitit të shkuar u regjistruan 13.167 persona të pandehur, apo 5.7% më pak se 1 vit më parë. Meshkujt përbëjnë 94,6% të numrit të të tyre, thuajse e njëjta përqindje përgjatë pesë viteve të fundit.
Sipas INSTAT gjatë vitit të kaluar është ulur numri i të burgosurve. Nga Janari deri në Dhjetor të 2024 numri i tyre ishte 4.491, apo 13,1 % më pak, krahasuar me vitin 2023. Meshkujt përbëjnë 98,3 % të numrit gjithsej të të burgosurve.
Grupmosha 21-29 vjeç ka numrin më të lartë të të burgosurve, ndërsa personat nën 20 vjeç dhe mbi 60 vjeç kanë numrin më të ulët të të burgosurve.