Meloni i rikthehet marrëveshjes fillestare për emigrantët në kampin e Gjadrit
Qeveria italiane po përgatit një plan të ri për rikthimin e funksionit fillestar të qendrave të emigrantëve në Shqipëri. Pra, te formula fillestare: qendra për të strehuar emigrantët e kapur në det. Jo vetëm si CPR (qendra riatdhesimi), zgjidhja që gjeti qeveria italiane një vit më parë për të shmangur që kampi i emigrantëve në Gjadër të mbetej bosh.
Qeveria italiane po punon për një dekret të ri, konfirmojnë për “Repubblica” disa burime të rëndësishme të mazhorancës. Miratimi parashikohet në muajin qershor. Hapi i parë pritet të hidhet që në këto ditë. Nesër në Parlamentin italian mbërrin teksti për ratifikimin e marrëveshjes së re Itali-Shqipëri për “bashkëpunim strategjik”, e nënshkruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama më 13 nëntor 2024.
Projektligji do të shqyrtohet fillimisht nga Komisioni i Mbrojtjes në Dhomën e Deputetëve. Të nesërmen do të kalojë në Komisionin e Buxhetit dhe më pas do të miratohet nga Komisioni për Punët e Jashtme.
Teksti i marrëveshjes parashikon “zbatimin efektiv të protokollit për forcimin e bashkëpunimit në çështjet migratore”, të firmosur po nga Meloni dhe Rama më 6 nëntor 2023. Në aktin e ratifikimit thuhet se palët, pra qeveria italiane dhe ajo shqiptare, bien dakord të “zhvillojnë më tej bashkëpunimin për zgjidhje inovative në funksion të hyrjes në fuqi të Paktit Europian për Migracionin dhe Azilin në qershor 2026”.
Çfarë do të thotë kjo? Sipas burimeve të “Fratelli d’Italia”, projekti synon rikthimin e kampit në Gjadër te misioni i tyre fillestar. Zgjidhja e përdorur nga qeveria italiane në fillim të vitit të kaluar shmangu boshatisjen e dy qendrave, pas vendimeve të gjykatave, por krijoi edhe atë që opozita e konsideron një paradoks të kushtueshëm: qendrat u kthyen në CPR, pra në struktura ku dërgohen emigrantë të parregullt që ndodhen tashmë në qendra të ngjashme në territorin italian.
Kostoja e operacionit në Shqipëri është tashmë e njohur: 670 milionë euro për periudhën 2024-2028.
Pikërisht për këtë arsye, ekzekutivi italian po përgatit një tjetër ndërhyrje. Edhe sepse Meloni, pavarësisht kritikave, nuk është tërhequr nga deklarata e saj “do të funksionojnë”, e bërë dy dimra më parë në skenën e Atreju.
Qeveria italiane pret miratimin përfundimtar nga Bashkimi Europian të paktit të ri për Emigracionin, i cili sipas dokumenteve pritet në qershor 2026. Më pas do të vijë një dekret i ri, po shqyrtohet rruga më e shpejtë teknike, qoftë me dekret-ligj apo dekret ministror, për t’u rikthyer te “plani A”.
Brenda mazhorancës jo të gjithë janë të bindur se nuk do të ketë pengesa të reja nga gjyqtarët, por ekziston bindja se “mburoja europiane”, bashkë me listën e vendeve të treta të sigurta, mund të rezistojë në afatmesëm, edhe në funksion të fushatës elektorale.
Nuk konsiderohet rastësi fakti që projektligji për dëbimet është futur për shqyrtim në Senat, duke i lënë Dhomës së Deputetëve axhendën të lirë në javët e ardhshme për të punuar mbi masat e reja për Shqipërinë.
Opozita italiane ka reaguar menjëherë. Sipas Riccardo Magi të +Europa, “qeveria duhet të sqarojë përmbajtjen reale të kësaj marrëveshjeje, e cila mbetet shumë e paqartë në pjesën që lidhet me emigracionin. Nëse qeveria synon të ndryshojë sërish destinacionin e qendrave në Shqipëri në dritën e paktit të ri europian, atëherë kemi të bëjmë me një tjetër sforcim të rëndë për të maskuar si inovacion një dështim çnjerëzor”./La Repubblica



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.