METEO – Polonia në alarm maksimal, me temperatura deri në 40 gradë Celsius
VARSHAVË, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Polonia ka shpallur nivelin më të lartë të alarmit meteorologjik, ndërsa vendi po përballet me një valë të fortë dhe të zgjatur të të nxehtit.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik paralajmëroi se temperaturat do të arrijnë nivele ekstreme, veçanërisht në juglindje të vendit, ku pritet të shkojnë deri në 40 gradë Celsius.
Në kryeqytetin Varshavë, temperatura maksimale e parashikuar është 38 gradë.
Sipas Institutit të Meteorologjisë dhe Menaxhimit të Ujërave, edhe nata mes të mërkurës dhe të enjtes do të jetë tropikale, me temperatura që nuk do të zbresin nën 20 gradë Celsius, duke e bërë më të vështirë rikuperimin e organizmit nga i nxehti.
Për të lehtësuar situatën, në disa pika të Varshavës janë vendosur stacione që spërkasin ujë në formë mjegulle, duke u ofruar qytetarëve mundësinë të freskohen gjatë temperaturave përvëluese.
Kryeqyteti polak ka rreth 1,9 milion banorë, ndërsa zona metropolitane numëron afro tre milionë.
Kryeministri Donald Tusk u bëri thirrje kompanive dhe punëdhënësve të kujdesen për punonjësit e tyre.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai i nxiti të përdorin sistemet e kondicionimit të ajrit dhe, kur është e mundur, t’u lejojnë punonjësve të punojnë nga shtëpia.
Ai theksoi gjithashtu se, nëse vapa bëhet e padurueshme, është e rëndësishme të bëhen pushime nga puna.
Ndryshe nga Hungaria fqinje, ku centrali bërthamor i Paksit rrezikoi të ndalonte për shkak të nivelit të ulët të ujit në lumin Danub, Polonia nuk ka hasur deri tani probleme në furnizimin me energji elektrike.
Vendi nuk disponon centrale bërthamore dhe mbështetet kryesisht në termocentralet me qymyr për të përballuar kërkesën e lartë për energji gjatë ditëve të nxehta.
Meteorologët kanë paralajmëruar gjithashtu se në mbrëmje priten stuhi të forta në pjesën perëndimore të Polonisë, të shoqëruara me reshje intensive shiu dhe breshër.
Rënia e ndjeshme e temperaturave pritet të nisë vetëm nga dita e premte./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.