Ministri Hoxha: Shqipëria e angazhuar në mënyrë të palëkundur në paqe! Dënojmë Iranin dhe sulmet e tyre
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha gjatë fjalës së tij në deklaratë të përbashkët për mediat me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, u shpreh se Shqipëria mbetet e angazhuar në mënyrë të palëkundur për paqen dhe dialogun ndërkombëtar. Ministri gjithashtu dënoi sulmet e Iranit teksa shtoi se ato cenojnë paqen dhe sigurinë në rajon.
Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Izraelit në forcimin e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë pas sulmeve nga Irani në vitin 2022, ndërsa rikonfirmoi vendimin e Shqipërisë për ndërprerjen e marrëdhënieve me Teheranin dhe shpalljen e tij si shtet sponsorizues të terrorizmit.
Gjithashtu u nënvizua lidhja historike mes dy popujve përmes kodit të Besës gjatë Holokaustit, ku shqiptarët mbrojtën familjet hebraike.
Deklarata e plotë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Është një kënaqësi e veçantë t’ju mirëpres në Tiranë, Ministër Sa’ar. Mirë se erdhët në Shqipëri! Sipas të dhënave tona, ju jeni ministri i tretë i Jashtëm i Izraelit që vizitoni Shqipërinë. Mund të themi me plot të drejtë: i treti, i vërteti! Dhe kemi arsye ta themi këtë, sepse, siç sapo ramë dakord, ky moment shënon pikën më të lartë të marrëdhënieve tona. Ai jo vetëm konfirmon miqësinë e kahershme mes dy vendeve tona, por dëshmon edhe për një partneritet në rritje, që po thellohet e forcohet më tej.
Sot rikonfirmuam angazhimin tonë të palëkundur, si dhe vullnetin e përbashkët politik dhe dëshirën gjithnjë në rritje për ta forcuar më tej partneritetin tonë.
Sapo nënshkruam Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shtetit të Izraelit. Kjo marrëveshje shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona.
Ajo krijon një mekanizëm të strukturuar përmes të cilit vendet tona do të zgjerojnë bashkëpunimin në disa fusha me interes të ndërsjellë, përfshirë ekonominë dhe tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën. Ajo hap mundësi të reja për institucionet tona që të punojnë së bashku dhe të sjellin përfitime të qëndrueshme për qytetarët tanë.
Siguria mbetet një shtyllë kyçe e partneritetit tonë. Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi ynë në fushën e sigurisë kibernetike ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale. Që prej asaj kohe, kemi vijuar të investojmë në qëndrueshmërinë e infrastrukturës sonë dixhitale dhe do ta forcojmë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë jetike.
Partneriteti ynë po zgjerohet edhe në fushën ekonomike. Ne shohim potencial të konsiderueshëm për diversifikimin dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe na inkurajon interesi gjithnjë në rritje i bizneseve dhe investitorëve izraelitë për Shqipërinë, veçanërisht në infrastrukturë, agrobiznes, teknologji, inovacion dhe energji, por edhe në shëndetësi.
Lidhjet mes njerëzve janë gjithmonë në zemër të çdo partneriteti të qëndrueshëm. Vitet e fundit, rritja e turizmit është shndërruar në një urë të rëndësishme lidhëse mes vendeve tona, duke krijuar mundësi të reja për angazhim më të madh dhe shkëmbime më të shumta.
Shqipëria mbetet e angazhuar fort për paqen, dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, si dhe garantimin e sigurisë.
Në këtë kontekst, dënojmë me forcë veprimtaritë destabilizuese të vazhdueshme të Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, si dhe sulmet e tij të fundit në mbarë Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Duke pasur parasysh politikat dhe veprimet e Iranit kundër Shqipërisë, por edhe kundër partnerëve tanë, ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Gjithashtu, krahas vendeve dhe partnerëve të tjerë, Shqipëria e ka shpallur Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit dhe Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike organizatë terroriste.
Shkëmbyem mendime të vlefshme edhe lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Theksova rëndësinë themelore që Shqipëria i kushton stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon. Në këtë drejtim, nënvizova se njohja e Kosovës nga Izraeli dhe marrëdhëniet e ngushta që janë vendosur mes tyre janë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Ministër, I dashur Gideon, Pak popuj në histori kanë përjetuar vuajtje, persekutim dhe tragjedi aq të mëdha sa populli hebre.
Përgjatë shekujve, e deri në tmerret e Holokaustit, ai përjetoi një nga kapitujt më të errët të historisë së njerëzimit.
Krijimi i Shtetit të Izraelit lindi nga kjo histori e dhimbshme dhe nga aspirata e një populli për të jetuar në siguri dhe dinjitet në atdheun e tij historik.
Megjithatë, historia e Izraelit është shënuar gjithashtu nga luftëra, konflikte, pasiguri dhe humbje të përsëritura, të cilat kanë sjellë dhimbje dhe vuajtje për jetë të panumërta të pafajshme në mbarë rajonin.
Sulmet brutale terroriste të 7 tetorit, masakra e përmasave të tmerrshme ndaj njerëzve të pafajshëm, në shtëpitë e tyre, në rrugë dhe në makinat e tyre, si dhe ngjarjet shkatërrimtare që pasuan, janë një kujtesë e fortë si e brishtësisë së paqes, ashtu edhe e rëndësisë themelore të sigurisë.
Asnjë komb nuk mund të pritet të pranojë kërcënimin e terrorizmit ndaj qytetarëve të tij, ashtu siç nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme mes pasigurisë, dhunës dhe frikës së përhershme.
Vuajtjet e jashtëzakonshme që kanë vijuar që atëherë kanë marrë shumë jetë të pafajshme dhe kanë lënë plagë të thella si te izraelitët, ashtu edhe te palestinezët.
Ato kanë përforcuar nevojën urgjente për të garantuar, para së gjithash, sigurinë e Izraelit, por edhe për të bërë çdo përpjekje të mundshme në funksion të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Në këtë këndvështrim, Shqipëria, nën drejtimin e Kryeministrit Rama, u bë anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe vendosi të kontribuojë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, duke dëshmuar angazhimin tonë për të mbështetur stabilitetin, sigurinë dhe përpjekjet humanitare në Gaza. Sfida përpara bashkësisë ndërkombëtare është, pra, të ndihmojë në krijimin e kushteve që si izraelitët, ashtu edhe palestinezët, të mund të jetojnë në siguri, dinjitet dhe shpresë, të çliruar nga ciklet e dhunës që kanë shkaktuar kaq shumë dhimbje brez pas brezi.
Për Shqipërinë, historia e popullit hebre ka një domethënie të veçantë. Në një nga orët më të errëta të njerëzimit, shqiptarët hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre, mirëpritën dhe mbrojtën familjet hebreje dhe u siguruan që ata që kërkuan strehim të gjenin mbrojtje, siguri dhe dinjitet. Ndjeva krenari që pata mundësinë t’ju tregoja disa dokumente të asaj kohe, shumë prej të cilave mbetën kryesisht të panjohura për publikun deri vetëm disa dekada më parë.
Ky mbetet një nga kapitujt më krenarë të historisë sonë kombëtare dhe një dëshmi e fuqishme e vlerave tona të humanizmit, solidaritetit dhe respektit për jetën. Ne e kemi përmbledhur këtë qëndrim në një fjalë të vetme: BESA — fjala e dhënë, premtimi që mbahet.
Këto lidhje, të farkëtuara në kohë vështirësish dhe të udhëhequra nga guximi moral, vazhdojnë edhe sot të përbëjnë një themel të fortë për miqësinë dhe mirëkuptimin në rritje ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit.
Në këtë kuadër, e informova Ministrin se, për ta mbajtur gjallë këtë kujtesë, Shqipëria po avancon me dy projekte të rëndësishme: Muzeun e Besës në Tiranë dhe Muzeun Hebraik në qytetin e Vlorës.
Këto institucione do të shërbejnë si qendra edukimi dhe kulture, duke kremtuar lidhjet historike mes popujve tanë dhe duke vlerësuar praninë e vazhdueshme dhe kontributin e komunitetit hebre në shoqërinë shqiptare.
Miku im i dashur, Jam i bindur se bisedimet tona të sotme do ta konsolidojnë më tej bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit dhe do të hapin rrugë të reja bashkëpunimi, në të mirë të të dy kombeve dhe popujve tanë. Pres me kënaqësi të vijojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.