Moti në Kosovë, fundjava me shi
Instituti Hidrometerologjik bën të ditur se fundjava në Kosovë do të jetë me shi.
IHK njofton se moti të shtunën do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara. Në disa lokalitete, vranësirat mund të sjellin riga të dobëta shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 5°C deri në 9°C, ndërsa temperaturat maksimale nga 21°C deri në 25°C.
Era do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi prej 1–4 m/s.
Ndërkaq, pë të dielën moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje shiu të intensitetit mesatar deri të lartë, të cilat në disa zona mund të jenë më të theksuara.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6°C deri në 11°C, ndërsa temperaturat maksimale nga 12°C deri në 16°C.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1–9 m/s.
Kushtet biometeorologjike
Të shtunën, moti relativisht i ngrohtë dhe intervalet me diell do të krijojnë kushte përgjithësisht të favorshme biometeorologjike. Të dielën, rënia e temperaturave, vranësirat dhe reshjet e shiut mund të ndikojnë në mirëqenien e personave të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të motit.
Kushtet agrometeorologjike
Reshjet e shiut që parashihen të dielën janë të mirëseardhura për bujqësinë, veçanërisht në këtë periudhë, kur pritet të intensifikohet fushata e mbjelljeve vjeshtore. Shtimi i lagështisë së tokës do të ndihmojë në përgatitjen e sipërfaqeve bujqësore për lavrim dhe punimin e tokës, si dhe do të krijojë kushte më të favorshme për mbjelljen e grurit dhe kulturave të tjera vjeshtore.
Megjithatë, në zonat ku reshjet do të jenë më intensive, rekomandohet që punimet bujqësore të planifikohen në përputhje me gjendjen e lagështisë së tokës, duke shmangur lavrimin dhe mbjelljen në toka tepër të lagështa. Punimi i tokës në kushte të tilla mund të shkaktojë ngjeshjen e saj dhe të vështirësojë përgatitjen e shtratit të farës.
Në përgjithësi, reshjet e së dielës pritet të jenë të dobishme për furnizimin e tokës me lagështi dhe për mbarëvajtjen e fushatës së mbjelljeve vjeshtore. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.