Muzeu Arkeologjik i Lezhës, 268 objekte nga prehistoria në mesjetë, të zbuluara ndër vite në territorin e qytetit…
Lezha i shtoi hartës së saj kulturore një tjetër pikë të rëndësishme me inaugurimin e Muzeut Arkeologjik. Destinacioni më i ri i trashëgimisë kulturore në qytetin e Lezhës, ku historia dhe arkeologjia ndërthuren për të sjellë para vizitorëve dëshmi autentike nga prehistoria deri në mesjetën e vonë. Në ambientet e Muzeut Arkeologjik në Lezhë, që këto ditë u bë dhe inaugurimi i tij janë ekspozuar 268 objekte arkeologjike, të zbuluara ndër vite në territorin e qytetit të Lezhës dhe zonave përreth.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit shprehet për një hapësirë, që i shtohet mozaikut të pasur të vlerave kulturore dhe atraksioneve turistike të qytetit të Lezhës, duke sjellë historinë më pranë komunitetit dhe brezave të rinj. “Përmes bashkëpunimit mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutit të Arkeologjisë dhe Bashkisë Lezhë, disa objekte arkeologjike me rëndësi të veçantë historike dhe shkencore rikthehen për ekspozim në territorin ku janë zbuluar, duke forcuar lidhjen mes trashëgimisë kulturore dhe identitetit lokal”, thuhet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Muzeu Arkeologjik në Lezhë është i financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë në kuadër të IPA II të Bashkimit Evropian, dhe sipas MTKS, ky projekt dëshmon se kultura dhe trashëgimia janë ura bashkëpunimi që lidhin komunitetet dhe historinë tonë të përbashkët. Muzeu Arkeologjik i Lezhës dhe Oda e Zejtarisë në Gjakovë vijnë si dy modele konkrete të këtij vizioni, duke kontribuar në zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të rajonit, si dhe në krijimin e një hapësire të re kujtese, identiteti dhe krenarie për qytetin e Lezhës.
Muzeu si qendër e rëndësishme për promovimin e trashëgimisë kulturore
Projekti për këtë muze ka si objektiv edhe zhvillimin e turizmit të rajonit të Lezhës, ku herë pas here në reagimet tij studiuesi i njohur Paulin Zefi ka sjellë në vëmendje trashëgiminë kulturore, kujdesin për ruajtjen e saj dhe promovimin, ku një tjetër projekt me rëndësi sipas tij më parë ishte edhe Muzeu Arkeologjik në Lezhë. Gjetje arkeologjike që janë ekspozuar në këtë muze konsiderohen me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore për trashëgiminë e qytetit dhe të gjithë rajonit. Muzeu Arkeologjik i Lezhës që u hap në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve është gjithashtu edhe pjesë e projekteve të rëndësishme në këtë qytet sa i takon trashëgimisë kulturore. Muzeu Arkeologjik në Lezhë është ndërtuar në zonën e “Qafës së Kalasë” dhe pranë “Nekropolit Mesjetar” dhe pritet të shërbejë si një qendër e rëndësishme për promovimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore të zonës, duke afruar më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.