MUZIKË – U2 vijnë në 50-vjetorin e tyre me ”Carnaval de Luz”
DUBLIN, 25 shtator /ATSH-AFP/ – Grupi i famshëm irlandez i rokut U2 ka zbuluar titullin e albumit të tij të 15-të, “Carnaval de Luz”, ndërsa sot shënon 50-vjetorin e themelimit, konfirmoi lideri Bono Vox gjatë një podkasti të “The “Irish Times,” duke i dhënë fund spekulimeve për projektin e ri muzikor.
Albumi pritet të shënojë një kapitull të ri në historinë e grupit, i cili vazhdon të jetë një prej emrave më të njohur të rokut ndërkombëtar.
Përvjetori i U2 lidhet me 25 shtatorin 1976, kur Bono, The Edge, Adam Clayton dhe Larry Mullen Jr. u mblodhën për herë të parë në kuzhinën e bateristit në Dublin.
Pesë dekada më vonë, ky moment do të përkujtohet me aktivitete të ndryshme në kryeqytetin irlandez, përfshirë eventin e organizuar nga fansat, “U250”.
Gjithashtu, Banka Qendrore e Irlandës do të emetojë një monedhë të re prej dy eurosh në nderim të përvjetorit.
Gjatë podkastit, Bono e zbuloi titullin e albumit me një dozë humori.
“Nuk mund ta them. Do ta them”, tha ai.
Më pas ai konfirmoi se albumi quhet “Carnaval de Luz” dhe e përshkroi materialin si të fuqishëm.
Këngëtari theksoi se dëshira për të arritur përsosmërinë dhe kënaqësia e të krijuarit së bashku vazhdojnë ta motivojnë grupin.
Për U2, muzika mbetet një proces i vazhdueshëm kërkimi, edhe pas pesëdhjetë vitesh karrierë.
Historia e grupit ka nisur me katër adoleshentë që në fillimet e tyre mezi zotëronin instrumentet muzikore.
Pas një pritjeje të dobët të albumit të dytë, “October”, “U2” u përball me rrezikun e humbjes së kontratës diskografike.
Megjithatë, grupi arriti të zhvillojë një stil të veçantë dhe të prodhojë disa prej hiteve më të rëndësishme të viteve 1980 dhe 1990.
U2 ka shitur rreth 175 milionë albume dhe ka më shumë se 23 milionë dëgjues mujorë në Spotify.
“Carnaval de Luz” do të jetë albumi i parë i ri i U2 që nga “Songs of Experience”, i publikuar në vitin 2017.
Projekti vjen pas publikimit të materialeve të reja gjatë këtij viti, përfshirë këngën “Street of Dreams”, e publikuar në korrik.
Albumi i ri pritet të dëshmojë nëse grupi do të vazhdojë të eksperimentojë me tinguj dhe qasje të reja, një prirje që ka shoqëruar disa prej periudhave më të rëndësishme të krijimtarisë së tij.
Kontributi i U2 në muzikën irlandeze është i lidhur edhe me studiot e regjistrimit “Windmill Lane në Dublin”, ku grupi regjistroi albumin debutues “Boy” dhe dy albumet pasuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.