“Në Champions dua Realin e Madridit”- Lamine Yamal rrëfehet: Ja çfarë më ndryshoi jetën! Bayern dhe PSG…
Ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, ka folur gjerësisht për karrierën e tij, futbollin dhe objektivat me klubin katalanas në një intervistë për programin “Universo Valdano”.
18-vjeçari u ndal te tema të ndryshme, nga rivaliteti me Real Madridin dhe racizmi në futboll, te Lionel Messi dhe një episod me ish-kapitenin e Barcelonës, Sergio Busquets. Duke folur për “El Clásico”, Yamal tregoi se dëshiron që Barcelona të përballet me Real Madridin edhe në Champions League.
Ai kujtoi përballjen e parë të Marcus Rashford në “Santiago Bernabéu”, duke theksuar se një futbollist e kupton rëndësinë e këtij dueli vetëm pasi e përjeton. “Me Real Madridin nuk jemi përballur kurrë në Champions dhe do të doja të luanim kundër tyre në Champions”, u shpreh Yamal.
Sipas tij, futbollistët që vijnë nga akademia “La Masia” e kuptojnë që në përballjen e parë se çfarë do të thotë një “El Clásico”. Yamal foli edhe për racizmin në futboll, një problem me të cilin është përballur edhe vetë në disa stadiume.
“Po bëhen gjëra, por duhet të ketë më shumë seriozitet me disa vendime. Një person që kryen një akt racist dhe që shihet nga të gjithë, nga miliona fëmijë, duhet të dënohet në mënyrën e duhur”, deklaroi sulmuesi i Barcelonës.
Ai shtoi se masat kundër racizmit janë të rëndësishme, por mënyra e ndëshkimit duhet të ndryshojë, pasi “është diçka që nuk mund të tolerohet”. Yamal pati fjalë të mëdha edhe për Lionel Messin, duke vlerësuar paraqitjen e tij në Botërorin e fituar nga Argjentina.
“Edhe pse të gjithë e dinë se është më i miri në histori, askush nuk e priste një Botëror kaq legjendar nga ai”, tha Yamal. Sipas tij, Messi ishte lojtari që shfaqej në momentet vendimtare dhe mbajti peshën kryesore të ekipit argjentinas gjatë turneut.
“Për mua, ai ishte lojtari më i mirë i Botërorit”, shtoi ylli i Barcelonës. Sa i përket Champions League, Yamal pranoi se Barcelona përballet me vështirësi më të mëdha ndaj skuadrave fizike si Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain.
“Pika jonë e dobët janë më shumë kundërshtarët si Bayern ose PSG, sepse janë më fizikë, të bëjnë të vraposh shumë dhe të qëndrosh i përqendruar gjatë gjithë ndeshjes”, tha ai.
Për Arsenalin, ai theksoi se përballja do të ishte më shumë taktike dhe e fokusuar te kontrolli i topit. I pyetur për favoritët në Champions, Yamal përmendi PSG-në, por theksoi se sfida më e madhe pas fitimit të një trofeu është ta fitosh sërish atë.
Yamal tregoi edhe një episod nga fillimet e tij te Barcelona, kur ishte ndëshkuar me kombëtaren për tre javë pas një sjelljeje që ai e cilësoi si “budallallëk fëmijësh”.
Në atë periudhë, Sergio Busquets e kishte ndaluar para një seance stërvitore dhe e kishte pyetur se çfarë kishte ndodhur.
“Erdhi seriozisht dhe më pyeti: ‘Çfarë ke bërë me kombëtaren?’. Unë isha fëmijë dhe u tremba. I tregova dhe ai më tha: ‘Tani je te Barça, të gjithë e dinë kush je dhe nuk ka rëndësi se çfarë lojtari je, duhet të sillesh siç duhet’”, rrëfeu Yamal.
Sipas tij, ai moment ishte një pikë kthese.
“Që nga ajo kohë e ndryshova jetën time dhe iu përkushtova plotësisht futbollit. Nuk dilja, stërvitesha, luaja, pushoja, shkoja të shihja nënën time dhe vazhdoja. Futboll, futboll dhe vetëm futboll”, përfundoi ylli i Barcelonës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.