Nga 10 dhjetori fillon dekorimi i Shkupit për festat e fundvitit
Dekorimi i Shkupit për festat e fundvitit do të bëhet nga 10 deri më 15 dhjetor, me një bredh 13 metra në sheshin "Maqedonia", program muzikor me artistë vendorë dhe pa fishekzjarrë, ka paralajmëruar kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski.
Shkupi do të dekorohet në atmosferë festive të Vitit të Ri në periudhën nga 10 deri më 15 dhjetor, ndërsa festa qendrore e ndërrimit të viteve do të organizohet në sheshin “Maqedonia”, ka paralajmëruar kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, siç njofton Alsat.
Për dekorimin e qytetit është përzgjedhur tashmë një kompani. Gjorgjievski, në një intervistë për televizionin “Sitel”, ka theksuar se procedura ka qenë transparente dhe se detajet e saj janë publike.
Mbrëmja e Vitit të Ri do të shoqërohet me program muzikor, ku do të performojnë artistë vendorë. Emrat e tyre ende nuk janë bërë të ditur, por kryetari i Shkupit ka paralajmëruar se në festë do të marrin pjesë muzikantë maqedonas. Këtë vit nuk do të ketë fishekzjarrë.
Sipas tenderit për dekorimin e qytetit, në sheshin qendror do të vendoset një bredh i Vitit të Ri me lartësi 13 metra, së bashku me disa figura ndriçuese në forma të ndryshme. Dekorimi duhet të përfundojë deri më 15 dhjetor, ndërsa vlera e parashikuar e projektit është rreth 70 mijë euro.
Përveç bredhit, është paraparë të vendoset edhe një figurë ndriçuese e drerit, me lartësi rreth katër metra, me kallam dekorativ sheqeri në brirë dhe kombinim të ndriçimit LED të bardhë të ngrohtë dhe të ftohtë, me efekte dinamike.
Në shesh do të vendoset edhe një dhuratë gjigante e ndriçuar, mbi gjashtë metra e lartë, dy porta 2D dhe një sajë 3D me dhurata, rreth dy metra e lartë dhe katër metra e gjerë, ku vizitorët do të mund të hyjnë dhe të fotografohen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.