NUNS: 24 incidente ndaj gazetarëve në Serbi vetëm në shtator, shumica kërcënime dhe sulme para zgjedhjeve
Raporti mujor i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë numëron pesë sulme fizike, katër sulme ndaj mediave dhe 12 raste kërcënimesh me vdekje e rrezikimi të sigurisë fizike.
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë (NUNS) ka regjistruar gjatë shtatorit 24 incidente ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, njoftoi sot, siç raporton gazeta Danas, kjo shoqatë në raportin e saj mujor.
Sipas raportit, në mesin e incidenteve janë pesë sulme fizike ndaj gazetarëve, katër sulme ndaj mediave dhe organizatave mediatike, 12 raste kërcënimesh me vdekje dhe rrezikimi të sigurisë fizike, si dhe tri kërcënime të tjera. Sulmet, pengimi i punës dhe frikësimi kanë qenë veçanërisht të theksuara gjatë raportimit nga aktivitetet parazgjedhore, përfshirë tubime të SNS-së në disa qytete.
NUNS-i ka evidentuar edhe sulme kibernetike ndaj portaleve dhe llogarive të mediave në rrjetet sociale, si dhe rastin e studiuesit italian Massimo Moratti, të cilit në shtator iu urdhërua të largohej nga Serbia me ndalim njëvjeçar hyrjeje, urdhër që më pas u tërhoq pas ankesës dhe presionit të publikut vendas e ndërkombëtar.
Shoqata vlerëson se sulmet, kërcënimet dhe pengimi i punës së gazetarëve gjatë raportimit nga ngjarje me interes publik përbëjnë vazhdim të një prirjeje shqetësuese, që rrezikon seriozisht sigurinë e gazetarëve dhe vështirëson punën e tyre në terren.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.