OKB – Al-Sharaa kërkon tërheqjen e Izraelit nga Siria
NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa akuzoi sot Izraelin për shkelje të sovranitetit të vendit të tij dhe kërkoi tërheqjen e forcave izraelite nga territori sirian, deri në vijat e përcaktuara në marrëveshjen e shkëputjes së forcave të vitit 1974.
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, al-Sharaa tha se Izraeli kishte kryer afro 500 sulme ajrore dhe artilerie, si dhe më shumë se 1 200 inkursione në Siri që nga përmbysja e ish-presidentit Bashar al-Assad, në dhjetor 2024.
Ai deklaroi gjithashtu se rreth 300 persona ishin ndaluar.
Veprimet e Izraelit, sipas presidentit sirian, ishin “të ngjashme me një epokë që mendonim se kishte kaluar prej kohësh”.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes së vitit 1974.
Kërkojmë tërheqjen e forcave izraelite në vijat e 8 dhjetorit 2024”, tha al-Sharaa.
Tensionet mes dy vendeve kanë mbetur të larta që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor 2024.
Që atëherë, Izraeli ka zgjeruar operacionet e tij ushtarake në jug të Sirisë dhe ka zhvendosur forca përtej vijave të mëparshme të ndarjes.
Damasku ka kërkuar në mënyrë të përsëritur tërheqjen e forcave izraelite dhe ka rikonfirmuar angazhimin ndaj Marrëveshjes së Shkëputjes së Forcave të vitit 1974.
Dy vendet mbeten zyrtarisht në gjendje lufte, ndërsa statusi i Lartësive të Golanit përbën një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes. Izraeli pushtoi pjesën më të madhe të këtij pllaje strategjike, në kufirin jugperëndimor të Sirisë me Izraelin, gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967.
Më vonë, Izraeli e aneksoi territorin, në një veprim që nuk njihet ndërkombëtarisht.
Presidenti Al-Sharaa përsëriti pretendimin e Sirisë mbi Lartësitë e Golanit.
“Ne kundërshtojmë përpjekjet e vazhdueshme të Izraelit për të imponuar një realitet të kryer në Siri”, tha ai, duke shtuar se çdo masë për aneksimin e Golanit është e pavlefshme sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.