Operacioni antidrogë në shkollat e Tiranës| Shpërndarësit vepronin në 8 grupe, goditen dhe 5 furnitorë
31 persona u arrestuan vetëm dje nga operacioni i zhvilluar në Tiranë nga blutë e kryeqytetit, të cilët shisnin lloje të drograve pranë institucioneve arsimore. Shtatë të tjerë ishin arrestuar më parë, po në kuadër të të njëjtit operacion ndërsa 14 të tjerë janë në kërkim.
Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, raporton se personat e identifikuar, vepronin në të paktën 8 grupe të shtrira në Laprakë, Brakë, Jordan Misja, Selitë, Yzberisht, Allias, Tregun Elektrik dhe Qytetin Studenti.
Në secilin grup ishin identifikuar tre deri në katër shitës. Kur një grup nuk kishte lëndë narkotike, klientët adresoheshin te grupet e tjera. Aktiviteti u dokumentua përmes agjentëve të infiltruar dhe blerjeve të stimuluara, veçanërisht për shitjet pranë shkollave. Hetimi ka goditur edhe 5 furnizues të rrjetit, të dyshuar për sigurimin e heroinës dhe kokainës.
Hetimet kanë zgjatur prej 4 muajsh. Policia ka sekuestruar në total 1 kg e 75 gramë heroinë, 1 kg e 265 gramë kokainë, 685 gramë Cannabis Sativa, 1 armë zjarri pistoletë, 90 fishekë, 2 peshore elektronike, 12 automjete, 35 telefona celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në disa raste, për të shmangur vëmendjen e shërbimeve policore në terren, lënda narkotike shpërndahej nëpërmjet monopatinave, si dhe shërbimeve taxi dhe delivery.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.