Opozita bllokon foltoren, Kuvendi ndërpret debatet dhe kalon në votimin e projektligjeve
Kuvendi i Shqipërisë ka kaluar në votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren dhe penguan zhvillimin normal të seancës plenare.
Seanca e kësaj të enjteje nisi mes tensioneve, teksa deputetët e Partisë Demokratike zaptuan foltoren menjëherë pasi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, nisi leximin e rendit të ditës. Situata bëri të pamundur vijimin e diskutimeve parlamentare sipas procedurës së parashikuar.
Përballë kësaj situate, kryetari i Kuvendit njoftoi kërkesën e paraqitur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për ndërprerjen e diskutimeve në seancën e sotme dhe kalimin e drejtpërdrejtë në procesin e votimit të projektligjeve.
Kërkesa u hodh në votim dhe mori 76 vota pro dhe 2 kundër, duke u miratuar sipas nenit 49 të Rregullores së Kuvendit. Pas këtij vendimi, seanca vijoi me votimin e akteve të planifikuara në axhendën parlamentare.
Maxhoranca ka argumentuar se projektligjet që lidhen me procesin e integrimit europian dhe negociatat me Bashkimin Europian nuk mund të vonohen dhe se puna e Kuvendit nuk duhet të bllokohet nga tensionet politike.
Situata politike mbetet e tensionuar, ndërsa mazhoranca dhe opozita vijojnë përplasjet për zhvillimet e fundit dhe mënyrën e menaxhimit të krizës politike në vend.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.