Paketë kundër dhunës në protesta, Rama: 6 instrumente ligjore, protesta paqësore mbrohet, dëmi paguhet nga shkaktari
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar prezantimin e një pakete të re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave në Tiranë. Paketa, sipas tij, synon të forcojë përgjegjësinë individuale për aktet e dhunës dhe të garantojë dëmshpërblimin për bizneset e prekura.
Rama deklaroi se qeveria do të veprojë me vendosmëri ndaj personave që përfshihen në akte të dhunshme, duke theksuar se protestat paqësore do të vazhdojnë të mbrohen, ndërsa dhuna do të ndëshkohet.
Sipas Ramës, paketa është hartuar pas një pune intensive me ekspertë evropianë dhe në koordinim me modele të përdorura në Francë dhe Itali. Ajo përfshin gjashtë instrumente ligjore, mes tyre një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla të dëmtuara, një ligj të posaçëm për riparimin e dëmeve dhe ndryshime në legjislacionin për tubimet.
Pjesë e paketës do të jenë gjithashtu krijimi i një regjistri të posaçëm elektronik për personat e përfshirë në akte dhune urbane, ndryshime në Kodin e Etikës së Mësuesit dhe ndërhyrje në Kodin Penal.
“Qeveria po adreson kërkesat legjitime të qytetarëve për më shumë garanci, ndërsa paralajmëroi se buxheti i vitit 2027 do të sjellë risi pozitive për familjet, shërbimet publike, të rinjtë dhe studentët. Pas një pune intensive, në bashkëpunim me ekspertët evropianë dhe në koordinim të ngushtë me modelet franceze dhe italiane, kemi gati paketën ligjore të masave kundër dhunës dhe anarkisë urbane. Paketa mbështetet në një bazë të qartë ligjore: protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Ai theksoi se përgjegjësia do të jetë individuale, ndërsa masat kufizuese do të jenë të përkohshme dhe nën kontrollin e gjykatës.
Paketa përmban gjashtë instrumente: një akt normativ për dëmshpërblimin e menjëhershëm të bizneseve të vogla, një ligj të posaçëm për riparimin e dëmeve, ndryshime në ligjin për tubimet, krijimin e një regjistri të posaçëm elektronik për dhunuesit urbanë, ndryshime në Kodin e Etikës së Mësuesit dhe disa ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë’, tha Rama.
Rama përdori tone të ashpra ndaj opozitës dhe organizatorëve të protestave të dhunshme, duke i akuzuar për nxitje të akteve të dhunës dhe duke kundërshtuar pretendimet se protestuesit përfaqësojnë studentët.
“Ne këtë flamë antidemokratike do ta shuajmë me patjetër, nga njëra anë me durim dhe me vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t’i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, as të ekstremistëve të Antifa dhe duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE dhe nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që në fakt përfaqësojnë edhe vetë krimin e organizuar”, u shpreh Rama.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.