Pas çdo shiu, rruga në Shuto Orizarë bëhet e pakalueshme
Banorët e rrugës "Brigada Maqedono-Kosovare" në Shuto Orizarë thonë se pas çdo shiu nuk mund të dalin nga shtëpitë për shkak të baltës, ndërsa kryetari Kurto Dudush premton se punimet do të rifillojnë dhe do të përfundojnë së shpejti, pa caktuar datë.
Mes baltës dhe gropave me ujë, fëmijët në Shuto Orizarë detyrohen të kalojnë çdo ditë nëpër rrugën “Brigada Maqedono-Kosovare” nr. 10 për të shkuar në shkollë, ndërsa të moshuarit mundohen ta shmangin baltën duke kërkuar anash rrugës vende ku mund të kalojnë, njofton Alsat.
Banorët thonë se prisnin asfaltimin e rrugës, por në vend të asfaltit ua shtruan rrugën me dhe dhe tani, pas çdo shiu, nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për shkak të baltës. “Kjo rrugë ka kështu me lloç gati dy muaj. Para 15 apo 20 ditësh e sollën edhe një lloç të kuq dhe u zhdukën. Fëmijët duhet t’i bartim vetë ose t’i dërgojmë me dy palë këpucë për në shkollë”, tha një banor i Shuto Orizarës për Alsat.
Një banor tjetër shtoi se një pjesë e rrugës u shtrua, por në pjesën tjetër sollën lloç, ndonëse rruga ishte më mirë më parë: “Ka dy javë që jemi kështu në lloç, se përndryshe ka tre muaj që e filluan. E shtruan lloçin dhe shkuan, humbën”, tha ai.
Kryetari i komunës së Shuto Orizarës, Kurto Dudush, tha për Alsat se punimet në rrugën “Brigada Maqedono-Kosovare” pritet të rifillojnë dhe të përfundojnë së shpejti, por pa caktuar datën se kur balta do të zëvendësohet me asfalt. Deri në përfundimin e rregullimit të rrugës nr. 10, banorëve u mbetet të presin që balta të thahet, që të mund ta kalojnë rrugën më lehtë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.