Protestuesit riorganizohen dhe nisin marshimin drejt Kryeministrisë
Pas shpërndarjes në rrugët e Tiranës, protestuesit u rigrumbulluan dhe u drejtuan sërish drejt godinës së qeverisë, duke zhvendosur blloqe betoni dhe me thirrjet "Rama ik"
Protestuesit që u shpërndanë në rrugët e Tiranës pas ndërhyrjes së policisë u riorganizuan pasditen e sotme dhe nisën sërish marshimin drejt Kryeministrisë, siç njofton BalkanWeb.
Nuk dihet ende nëse protestuesit do të lejohen përpara godinës së qeverisë. Gjatë marshimit, ata zhvendosën disa blloqe betoni, në mënyrë që automjetet e policisë të mos avancojnë pas tyre.
Kur ndodheshin pranë Bashkisë së Tiranës, një nga protestuesit shkroi edhe grafite revoltuese ndaj qeverisë, ndërsa marshimi shoqërohej me thirrjet “Rama ik”.
Marshimi i ri vjen pas përplasjeve të sotme para Kryeministrisë, ku policia ndërhyri me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët u zhvendosën fillimisht te Parku Rinia dhe në rrugët e kryeqytetit, ku disa kosha mbeturinash u vunë në flakë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.