PDK miraton unanimisht Deklaratën Politike me tri pika për Specialen: votim i Projektligjit, mbështetje e pakufizuar financiare për mbrojtjen dhe përkrahje protestave
Këshilli Drejtues i PDK-së, pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Hagë, miratoi Deklaratën Politike prej tri pikash: kërkohet votimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara, mbështetje e pakufizuar financiare për mbrojtjen juridike të ish-krerëve të UÇK-së dhe përkrahje për protestat popullore.
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) u mblodh sonte dhe, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, miratoi unanimisht një Deklaratë Politike prej tri pikash.
Në pikën e parë, PDK-ja i kërkon Kuvendit të Kosovës të votojë Projektligjin e dorëzuar nga kjo parti, me ndryshimet e propozuara për Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe të shqyrtojë legjislacionin dhe marrëveshjet përkatëse — me qëllim forcimin e garancive procedurale, transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale.
Pika e dytë kërkon nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës mbështetje të pakufizuar financiare, profesionale dhe teknike për ekipet mbrojtëse të të katër ish-krerëve të UÇK-së në procedurat e mëtejme juridike, përfshirë Apelin. Në deklaratë theksohet rëndësia jetike e këtij procesi gjyqësor për Kosovën dhe angazhimi diplomatik për standarde të larta të gjykimit.
Në pikën e tretë, Këshilli Drejtues shpreh mbështetje për protestat popullore kundër vendimeve të padrejta të Hagës, duke u bërë thirrje qytetarëve t’u bashkohen — në kontekstin e marshit të paralajmëruar për 1 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi aktgjykimin të padrejtë, të papranueshëm dhe të ndikuar politikisht. Në fillim të mbledhjes u mbajt një minutë heshtje në nderim të Flora Brovinës.
Burimi: Klan Kosova



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.