Përplasje në Kuvend për pensionet, Ibrahimaj: Ekonomia në qeverisjen e PD-së, ishte në ditën më të zezë
Deputeti demokrat Eno Bozdo ka replikuar ditën e sotme në Parlament me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, lidhur me situatën ekonomikë ne vend.
Ministrja Ibrahimaj tha gjatë fjalës së saj se BE ka vendosur në buxhetin e tyre një buxhet specilik që quhet ‘Grouthplan’ dhe që sipas saj është i lidhur me rritjen e buxhetit që vendet kandidate marrin, në bazë të reformave që ato aplikojnë.
Lidhur me pensionet në Shqipëri, ministrja Ibrahimaj tha se në qeveri janë të vetëdijshëm se pensionet janë të ulëta, teksa shtoi se vijon puna për të përmirësuar skemën për rritjen e të ardhurave për të moshuarit.
“Ne nuk e mohojmë që kemi shumë për të bërë, që të arrijmë divergjencat me ekonomitë europiane. Kjo ishte arsyeja pse BE vendos që në buxhetin e tyre të vendosë një buxhet specifik, që quhet Grouthplan. Pra një plan i lidhur me rritjen e buxhetit që vendet kandidate marrin, në bazë të reformave që ato aplikojnë. Sa i takon pensioneve, ne jemi të vetëdijshëm që pensionet janë të ulëta”, tha ministrja Ibrahimaj.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Eno Bozdo është shprehur se në Shqipëri varfëria është rritur gjatë këtyre viteve.
Teksa theksoi se vendi është ‘zbrazur’ gjatë qeverisjes socialiste, Bozo tha se në Shqipëri kanë dështuar reformat e thella strukturore.
Treguesit ekonomikë të Shqipërisë Bozo i krahasoi me ato të vendeve të botës së katërt, teksa shtoi se korrupsioni dhe informaliteti në vendin tonë po bëjnë kërdinë.
“Këtu varfëria relativisht është rritur. Vendet e tjera kanë ecur përpara. Të ardhurat bruto në Shqipëri 10 mijë euro në vit, sa 1/5 e vendeve të BE-së. Niveli më i ulët ndër vendet e rajonit. Shqipëria është boshatisur. Këtu sipas INSTAT janë vetëm 2.4 milionë shqiptarë. Nuk ka ç’na bën asnjë fond kohezioni i BE-së. Kanë dështuar reformat e thella struktorore. Ne sot kemi problematikë të tmerrshme me skemën e pensioneve. Dhe ju e dini fare mirë. Problematikë e cila edhe pse u premtua në Reformën e 2015-ës, nuk u zgjidh. Me ndihmën ekonomike mbulojmë vetëm 20% të shqiptarëve dhe ky është një tregues i botës së katërt. Korrupsioni dhe informaliteti bën kërdinë”, tha mes të tjerash Bozo.
Ndërkohë Ibrahimaj iu përgjigj Bozos duke thënë se në kohën e qeverisjes së PD-së, ekonomia shqiptare ka qenë në ditët e saj më të zeza.
“Ju mbase e keni shumë kollaj t’i thoni shifrat si të doni. E vërteta është që varfëria ka rënë. E vërteta është që skema e pensioneve ka qenë në ditëm më të zezë në kohën e PD-së. E vërteta është që numri i kontribuuesve është rritur. E vërteta është që në 2013 rritja ekonomike ishte 1 %. Ekonomia në 2013 ishte në ditën e vetë më të zezë. Është e vërtetë që PBB për frymë në Malin e Zi dhe Serbi është më e lartë se në Shqipëri, por në vendet e tjera të rajonit është më e ulët”, tha ministrja Ibrahimaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.