Ekonomia

Petrit Ago, Drejtori që u bë fermer, me fermën më të madhe në vend

 

Nga Blerina Hoxha

I pasionuar pas bujqësisë, biznesmeni Petrit Ago ka finalizuar ëndrrën e më shumë se dy dekadave. Ferma më e madhe në vend është në kulmin e lulëzimit dhe pak kilometra larg saj, fabrika më e madhe e përpunimit të qumështit pret të nisë punë. Të dyja në rajonin Tiranë-Durrës, duken si një ide biznesi e mirëmenduar. Sfidat e mbijetesës, pa asnjë ndihmë nga shteti dhe shembulli që duhet ndjekur.

Në anë të rrugës që merr nga autostrada Tiranë-Durrës për në Aeroportin e Rinasit, është gati të nisë punën një fabrikë e re për përpunimin e qumështit. Vetëm 8 kilometra larg saj është ferma më e madhe në vend, me rreth 2600 krerë dele, dhi alpine dhe lopë. Të dyja janë në pronësi të Petrit Agos, një biznesmen i hershëm dhe ish- drejtor i përgjithshëm i Doganave. Pas një përvoje të gjatë në shpërndarjen e produkteve ushqimore industriale dhe prodhimit të bulmetit, ai po tenton të krijojë ciklin e mbyllur në bujqësi në industrinë e qumështit.

bMe një fermë që prodhon 7 tonë qumësht në ditë do të furnizohet fabrika afër saj, teksa rrjeti i shpërndarjes me pakicë është i ngritur. Gjithçka duket se ka qenë e menduar mirë, investimet janë bërë në rajonin më të populluar të vendit.

Që në vitet 1990, Ago nisi tregtimin me shumicë dhe pakicë të ushqimeve. Dy dekada e gjysmë më pas, ai është i sigurt për kërkesën konsumatore dhe tendencat e saj. Shpirti i sipërmarrësit e ka shtyrë të investojë edhe në ndërtimin e një fabrike qumështi në Libohovë kohë më parë. Zona njihet për cilësinë e blegtorisë dhe bulmetit, ndaj tashmë ka siguruar përvojën e nevojshme për të projektor investimin më të madh në vend po në blegtori.

Fabrika, gati për punë

….Gjithçka pret dorën e fundit. Fabrika thuajse ka përfunduar, janë për t’u retushuar detajet e fundit. Investimi është komfort me ngjyrat e lehta nga e bardha, të pëlqyeshme për një fabrikë qumështi. Pajisjet në pritje të montimit janë vënë në mes të saj të paketuara me kujdes dhe të mjaftueshme për të siguruar përpunimin e 48 tonë qumësht, djathë dhe kos. Për Petrin Agon, kjo fabrikë nuk është vetëm e ardhmja e biznesit të tij, por përmbushja e një ëndrre në kufijtë e pasionit, teksa vrapon për të treguar çdo detaj të saj, për të cilat ka pesë vjet që kujdeset. Fabrika, në pritje të nisjes nga puna, është një projekt shumëvjeçar me shumë sfida e pengesa, por tani duket se po ecën në rrugë të sigurt.

Instalimi do të kryhet këto ditë nga specialistë italianë. Pajisjet janë teknologjia e fundit italiane e 2014-s dhe kësisoj do të garantojnë produkte cilësore të bulmetit, – shpjegon Ago. E pozicionuar në një tokë pjellore plot gjelbërim edhe në mes të dimrit, fabrika duket se nuk do t’i shërbejë vetëm Agos, por edhe banorëve të zonës. Në fushën mes Rinasit dhe Fushë-Krujës, banorët merren më së shumti me blegtori dhe bujqësi, ndaj një fabrikë qumështi pranë tyre është një nxitje më shumë për zhvillimin e blegtorisë. Fabrika ka kapacitete të mjaftueshme për të ofruar përpunim me sasi të mëdha dhe, nga ana tjetër, zona është mjaft e përshtatshme për zhvillimin e fermave blegtorale, sidomos lopëve.

Në anë të fabrikës, një tufë me dele po kullot qetësisht dhe më tej disa lopë janë vënë në rresht drejt kullotës. Ahmeti, çobani i deleve me origjinë nga Shishtaveci i Kukësit, është mjaft entuziast për fabrikën, pasi e sheh të sigurt tregun e shitjes së qumështit, ndaj mendon të shtojë krerët. Investimi i deritanishëm i ka kapur të 2.5 milionë eurot, për të cilat shteti nuk ka asnjë kontribut.

Ferma me 2500 krerë

….Me tej, përgjatë rrugës së Rinasit, për rreth 8 kilometra që të çojnë në qytetin e Fushë-Krujës, në fund të rrugës përbri malit të Krujës ndodhet ferma më e madhe në vend. Mbi 400 lopë, 1500 dele dhe 400 dhi alpine janë të sistemuara në mbi 13 stalla në një ambient të ngritur krejtësisht për ta. Kur i afrohesh portës së madhe, në mendje të vijnë fermat e ish-kooperativave bujqësore me imazhe lopësh të thata, gjysmë të gjalla dhe dele me lesh të shpupuritur, por më tej gjithçka që sheh në fermën e sotshme është surprizë. Të ndodhesh në një stallë dhish dhe të mos ndiesh asnjë aromë të pakëndshme është surpriza e parë. Dhitë alpinë të famshme për qumështin janë po aq edhe për pamjen e tyre. Ato janë të sistemuara në një stallë, gati po aq dinjitoze sa edhe një maternitet periferik i Shqipërisë.

Edhe pse janë me qindra dhe lehonat e reja tani janë në fushatë lindjesh, Ago i dallon të gjitha një për një. Madje disave u ka vënë emra dhe ca të tjera i shquan që nga larg. Stallieri, një mesoburrë i zonave rrotull, shpjegon me pasion për secilën nga dhitë, të cilat janë të ndara në kapanone, ku lehonat rrinë veç, kecat veç, kurse të rejat qëndrojnë të ndara në një hapësirë tjetër. Mjelja sapo ka përfunduar dhe qumështi është në depozitën frigorifer gati për t’u transportuar në fabrikat e përpunimit. Cilësia e kosit dhe djathit nga qumështi i dhive apline nuk ka të krahasuar – pohon Ago, ndërsa stallieri me profesion veteriner, ngutet të qëndrojë afër një keci të sapolindur. Stalla është e kopsitur mirë, me mure të forta e çati të plotë, e ndriçuar mirë me një pozicion gjeografik që mbrohet mirë nga kushtet klimatike, përmbytjet dhe dielli i fortë. Përballë stallës së dhive, në hyrje të fermës në krahun e majtë, janë banesat e deleve.

Pak më të zhurmshme se dhitë, delet janë më të shumta në numër dhe janë sistemuar në tre stalla të mëdha rresht. Edhe këto janë të vendosura po aq mirë sa dhitë dhe të ndara sipas moshës dhe mëmësisë. Për fat, është koha e mjeljes. Në një dhomë ngjitur me delet është dhoma e mjeljes së deleve, e pastër qelibar. Një rrethor i ngritur në mes të dhomës shërben si rreshtore për delet dhe poshtë tyre qëndrojnë mjelësja bashkë me një ndihmës.

Impiantet e mjeljes nga delet shkarkohen nëpërmjet rrjetit të tubacionit të transmetimit të qumështit në botin frigoriferik që qëndron një dhomë tjetër të posaçme. Teksa delet milen, në bot shkarkohet qumështi gjysmë i ngrohtë. Duhet edhe një pëllëmbë që të mbushet, ndërsa makina e transportit është gati për ta çuar drejt fabrikës që Ago e ka në Libohovë. Afër depozitës frigoriferike të qumështit është një impiant tjetër tubash dhe disa shishe me detergjentë. Ago shpjegon se është mekanizmi automatik i sterilizimit të depozitave dhe rrjetit të transmetimit të qumështit.

Teksa shijon këtë moment të veçantë, delet e urta mbajnë radhën aq mirë sa për t’u pasur zili. Rrinë ngjitur njëra-tjetrës, presin radhën dhe pasi mbarojnë punë,nguten të kthehen në stallë pa krijuar kaos dhe rrëmujë. Mjelësja, një grua e re, është fjalëpakë dhe nuk ka qejf të flasë në momentet e punës, por ndihmësi i saj, një djalosh më i ri në moshë, thotë se puna që bëjnë u jep kënaqësi dhe se janë të mirëpaguar. Në fermë ka 10 të punësuar, pasi shumica e shërbimeve janë të automatizuara.

Në fund të fermës, në të dy krahët e saj, janë stallat e lopëve. Shumica po mbajnë radhën për mjelje. Janë më shumë se 400 krerë dhe prodhojnë gati 70% të sasisë së qumështit. Edhe ato, njësoj si dhitë e delet, janë të sistemuara në kapanone të veçanta, ku viçat e vegjël jetojnë veçmas nënave dhe më të rriturat në pritje për t’u bërë nëna kanë trajtim tjetër. Ato shërbejnë për rifreskimin e tufës dhe mbahen gjithnjë në vëzhgimin e veterinerit.

Ferma është e vendosur në një terren mjaft të butë, me pak pjerrësi me pemë ndërmjet stallave në një shpat ku dielli rreh nga mëngjesi deri në perëndim. Ago tregon se gjithçka është bërë nga e para. Vendi ku është vendosur ferma ka qenë pikë grumbullimi mbeturinash, ndaj dhe për pastrimin e saj janë zhvendosur mijëra metër kub dhe. Më pas është drenazhuar gjithë hapësira dhe është shtruar nga e para me bar dhe pemë. Akomodimi i stallave i ka kushtuar Agos rreth 1 milion euro dhe tani gjithçka është në perfeksion. Kompleksi ka një sipërfaqe prej 60 mijë metër katrorë, nga të cilat 20 mijë metër katrorë janë stalla, 13 gjithsej. Në këtë kompleks, ai ka zgjedhur të mbarështojë raca të përzgjedhura, që fillimisht janë importuar, siç janë lopët frizon dhe delet lakon e dhitë brunalpine franceze. Në fillim të viteve ‘90, kam importuar sasi të konsiderueshme djathi dhe duke pasur kontakte me shumë fabrika jashtë vendit, ndaj më lindi ideja, përveç bizneseve të tjera që zhvilloj, të zgjerohem edhe me linjat e prodhimit.

Veprimtarinë ai e nisi fillimisht në Çermë dhe me kalimin e kohës u zhvendos në Fushë-Krujë, duke marrë me qira një ish-kompleks të mbarështimit të derrave aty, duke i bërë një rikonstruksion nga e para. Me fillimin nga puna të fabrikës së përpunimit të qumështit, numri i krerëve pritet të shtohet edhe më tej.

Ushqimi i kafshëve, hallka e këputur e zinxhirit

Copëzimi i tokës bujqësore në ferma jo më shumë se 1.3 hektarë është një problem madhor edhe për funksionimin e fermave të mëdha blegtorale. Ago e importon rreth 70% të bazës ushqimore që nga Spanja, Greqia, Maqedonia etj. Tregu vendas nuk mund t’i sigurojë atij furnizime të mjaftueshme. Edhe pse ka bërë mjaft takime me fermerë në zona të ndryshme, ata nuk kanë rënë dakord të bashkojnë tokat për të siguruar jonxhën e bagëtive. Për pasojë, furnizimet më të mëdha vijnë që nga Spanja e largët me traget e më pas me kamionë. Kosto e bazës ushqimore sidomos jonxhës, shkon 30 lekë për kilogram. Dhe e keqja është se, edhe sikur të mos ishte problemi i copëzimit të tokës, produkti nuk mund të prodhohet në Shqipëri, për shkak të lagështirës së madhe. Jonxha shqiptare krijon myk që është e dëmshme dhe për pasojë nuk është në preferencat e fermës së Agos. Më së shumti, në Shqipëri, sigurohet bari dhe gjithashtu përgatitet silazhi që zë edhe 35% të bazës ushqimore.

Për të gjithë ata që marrin përsipër të investojnë në blegtori mbetet një problem shumë i madh sigurimi i bazës ushqimore. Toka bujqësore është 696 mijë hektarë dhe për shkak të klimës, ka më shumë leverdishmëri për mbjelljen e kulturave të tjera bujqësore me vlera kthimi më të mëdha se sa ushqimi i bagëtive.

Kosova dhe Maqedonia janë furnizuesit kryesorë të Shqipërisë me bazë ushqimore, kryesisht bar. Vetëm në Kukës janë mbi 12 biznese tregtare që merren me importin e barit nga Kosova, duke e shpërndarë atë më pas në pjesën tjetër të vendit sipas nevojave. Për këtë arsye, ekspertë të sektorit kanë këshilluar gjithnjë investitorët në blegtori që të marrin në konsideratë së pari sigurimin e bazës ushqimore me kosto sa më të lirë, ndryshe Shqipëria do ta ketë shumë të vështirë të bëhet konkurruese me rajonin.

Por teksa blegtoria shqiptare ka probleme parësore bazën ushqimore, në fakt 30% e tokës bujqësore raportohet të jetë mbjellë me jonxhë dhe foragjere. Ministria e Bujqësisë raportoi në vitin 2014 se sipërfaqja e mbjellë me kulturat për blegtorinë arriti në mbi 208 mijë hektarë.

Pa asnjë subvencion

Pasi keni parë fermën më të madhe në vend dhe fabrikën e qumështit në pronësi të të njëjtit person e ke të pamundur të besosh se shteti nuk ka vënë dorë. Me anëtarësimin në Bashkimin Europian, bujqësia është sektori që ka mbështetjen me të madhe si nga subvencionet e brendshme dhe ato të jashtme.

Petrit Ago pohon se kërkesa e tij për subvencione është refuzuar. “Kam bërë kërkesë sipas normave dhe udhëzimeve zyrtare, por kërkesa më është refuzuar për arsye qesharake”. Ai tha se gjithçka e ka investuar në fermë dhe fabrikë është në sajë të kontributit personal nëpërmjet kredive bankare dhe qarkullimit të bizneseve të tjera.

Biznese të tilla janë me risk, sidomos blegtoria. Ndaj në të gjithë botën, të tilla biznese janë në fokusin e politikave lehtësuese dhe mbështetjeve financiare. Por fatkeqësisht, këto praktika nuk i shërbejnë për Shqipërinë, pohon Ago, i cili duhet ta përballojë i vetëm betejën për të çuar deri në fund atë që ka nisur.

Shqipëria e ka traditë zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë dhe kjo është trashëgimia më e mirë dhe garancia më e madhe për zhvillimin e sektorit në të ardhmen. Shqipëria është një vend bujqësor dhe nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik të vendit, ajo është me rëndësi strategjike, pohon Ago, kur referon se pesha e bujqësisë në prodhimin kombëtar është më shumë se 22%, por puna është se nuk po merr të njëjtën vëmendje nga institucionet publike për t’u zhvilluar me politika të shëndosha dhe me fonde.

Çfarë duhet bërë

Sektori është përfshirë në një sërë vështirësish ciklike, pa mundur të orientohet drejt zinxhirit të vlerave. Ago thotë se nuk ka hezituar të marrë pjesë edhe në hartimin e politikave bujqësore, si një nga ekspertët më të njohur dhe me më përvojë të mazhorancës, por gjithashtu vë në dukje mungesën e vullnetit për zbatimin e tyre. Ai tha se për një zhvillim produktiv të sektorit të blegtorisë duhet që fillimisht të përcaktohet harta blegtorale. Me këtë hartë duhet të kufizohen zonat më të përshtatshme për mbarështimin sipas llojit të bagëtive. Rajonet malore janë të përshtatshme për mbarështimin e të imtave dhe Ultësira Perëndimorë për gjedhin, ndaj dhe subvencionet duhet të orientohen në bazë të kësaj harte, tha Ago.

Pas krijimit të hartës duhet të sigurohet mbështetja e financiare nëpërmjet angazhimit të kredive të buta bankare dhe subvencioneve në sektor, pohoi Ago. Ai tha se në të gjithë skemën e saj për blegtorinë, qeveria duhet të ketë në konsideratë zinxhirin e vlerës nëpërmjet nxitjes së ciklit të mbyllur nga prodhimi, përpunimi dhe eksporti.

Mirëpo që të funksionojë skema duhet të fuqizohen sektorët e tjerë të lidhur me blegtorinë të tilla si shërbimet veterinare, certifikimi i cilësisë së produkteve me qëllim që t’i hapet rruga për eksport i prodhimeve blegtorale “Made in Albania”. Por që të gjitha hallkat të funksionojnë duhet një vullnet i qartë për zhvillimin e sektorit, pohon Ago, të cilin fatkeqësisht ende nuk po e sheh. Zhvillimi i bujqësisë – pohoi ai – është ende fragmentar dhe i paorganizuar, i zhvilluar në bazë të nismave personale dhe pa mbështetje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button