PHENIAN – Koreja e Veriut teston bombën thërrmuese për raketat balistike
– Koreja e Veriut ka testuar një kokë luftarake me bomba thërrmuese, e projektuar për t’u vendosur në raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi, raportoi “Reuters”.
Mediet shtetërore të Phenianit njoftuan se testi u krye të shtunën, më 31 tetor, ndërsa vendi synon të pajisë njësitë ushtarake me disa lloje të këtyre armëve deri në fund të vitit 2026.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, testimi u krye nga Administrata e Raketave dhe kishte për qëllim të vlerësonte fuqinë shkatërruese dhe aftësinë e përdorimit në kushte luftarake të kokës shpërthyese.
Autoritetet ushtarake të Koresë së Veriut pretenduan se koka luftarake e tipit të dytë, në variantin standard, mund të shkatërrojë një zonë prej 12 deri në 13 hektarësh, në kushtet e përqendrimit më të lartë të shpërthimeve.
Një zyrtar i Administratës së Raketave deklaroi se kokat luftarake me bomba thërrmuese ndahen në katër kategori, në varësi të qëllimit dhe objektivave ushtarake.
Ai bëri të ditur se deri në fund të vitit, njësitë ushtarake do të pajisen me të gjitha variantet, në mënyrë që t’i përdorin ato sipas objektivave të operacioneve.
Testimi u mbikëqyr nga gjenerali Kim Jong-sik, anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut.
Çfarë janë bombat thërrmuese?
Bombat thërrmuese janë armë që shpërndajnë në ajër dhjetëra ose qindra mjete shpërthyese më të vogla, të cilat bien në një sipërfaqe të gjerë dhe shpërthejnë në disa pika njëkohësisht.
Ato mund të shkaktojnë dëme të mëdha në zona të gjera dhe paraqesin rrezik të veçantë për civilët, pasi një pjesë e mjeteve shpërthyese mund të mos aktivizohen menjëherë dhe të mbeten të rrezikshme edhe pas përfundimit të luftimeve.
Rritje e testeve ushtarake
Testimi i fundit vjen në një periudhë kur Koreja e Veriut ka shtuar demonstrimet e kapaciteteve të saj ushtarake, përfshirë provat me raketa, dronë dhe sisteme të tjera armatimi.
Më 29 tetor, Pheniani lëshoi rreth 10 raketa balistike drejt detit nga bregdeti lindor i vendit, në të njëjtën ditë kur kancelari gjerman, Friedrich Merz zhvillonte një vizitë në Korenë e Jugut.
Ndërkohë, më 29 tetor, udhëheqësi Kim Jong-un mori pjesë në një ekspozitë të teknologjisë së dronëve, ku u prezantuan disa sisteme të reja pa pilot dhe pajisje ushtarake.
Analistët vlerësojnë se këto zhvillime lidhen me përpjekjet e Phenianit, për të modernizuar ushtrinë dhe për të zgjeruar mundësitë e saj të sulmit konvencional, krahas arsenalit bërthamor.
Vëmendje i kushtohet gjithashtu përvojës që Koreja e Veriut mund të ketë fituar nga dërgimi i trupave të saj për të luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë.
Ndërsa në prill të këtij viti, Koreja e Veriut kishte njoftuar një tjetër test me koka luftarake me bomba thërrmuese, të vendosura në raketat balistike “Hwasong-11 Ra”, të mbikëqyrur nga vetë Kim Jong-un.
Pretendimet e Phenianit për fuqinë shkatërruese të armës së fundit nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.