Plenkoviç: Kroacia po ndjek me vëmendje armatosjen e Serbisë, që po duket si ‘mani shopingi’
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha të premten në Zagreb se Serbia po kalon një 'proces të pabesueshëm armatosjeje', në një konferencë për shtyp me kryeministrin bavarez Markus Söder.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha të premten në Zagreb se Kroacia po ndjek me vëmendje armatosjen e Serbisë, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin bavarez Markus Söder, siç raporton gazeta Danas, duke cituar portalet kroate Nina dhe Index.hr.
Duke komentuar deklaratën e mëhershme të ministrit kroat të Mbrojtjes, Ivan Anušiç, për retorikën agresive e armiqësore të Serbisë dhe për armatosjen e saj, Plenkoviç u shpreh se Serbia po kalon një “proces të pabesueshëm armatosjeje, gati si një ‘mani shopingi’ në mbarë botën” dhe se të gjitha vendet fqinje të Serbisë duhet të pyesin pse ajo po armatoset kaq shumë.
Kroacia, si anëtare e BE-së dhe e NATO-s, kujdeset për sigurinë e saj dhe e ka trefishuar buxhetin e mbrojtjes gjatë 10 viteve të fundit, tha ai, por kapacitetet që po ndërton “nuk janë kërcënim për askënd” — ato shërbejnë vetëm si pengesë për të mos lejuar përsëritjen e agresionit të viteve ’90.
Plenkoviç shtoi se Kroacia diskuton çështjen e armatosjes së Serbisë me të gjithë partnerët e saj, sipas raportimit të Danas.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.