POLONI – Tusk paralajmëron për sulme të përhershme ruse pranë kufirit me Ukrainën
VARSHAVË, 29 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri polak Donald Tusk ka paralajmëruar se sulmet ruse në rajonet e Ukrainës pranë kufirit me Poloninë janë shndërruar në një dukuri të vazhdueshme.
Sipas tij, avionët luftarakë polakë po ngrihen pothuajse çdo natë si përgjigje ndaj sulmeve ajrore ruse në zonë.
Duke folur sot para një mbledhjeje të kabinetit, Tusk tha se sulmet ruse pranë territorit polak kanë marrë tashmë një “karakter të përhershëm”.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Polonia përballet me javë dhe muaj të vështirë përpara.
Në një sulm dje me dron u godit territorin ukrainas pranë pikës kufitare Dorohusk–Yahodyn, një nga kalimet kryesore mes Ukrainës dhe Polonisë.
Sipas qeverisë polake, incidenti ndodhi në afërsi të kufirit polak.
Burime ukrainase raportuan se vala e shpërthimit të dronit dëmtoi një ndërtesë në pikën kufitare.
Nuk u raportua se droni kishte goditur territorin polak.
Gjatë dy javëve të fundit, dronët rusë kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektiva në territorin ukrainas pranë të njëjtit kalim kufitar.
Afërsia e sulmeve me Poloninë ka rritur shqetësimet në Varshavë për sigurinë e kufirit lindor të vendit.
Në një tjetër incident, një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës u sulmua në këtë zonë.
Ngjarja ka shtuar shqetësimet për sigurinë e infrastrukturës dhe transportit përgjatë korridorit që lidh Ukrainën me Poloninë.
Qeveria polake e ka akuzuar Rusinë për përshkallëzim të luftës në Ukrainë.
Varshava ka qenë një nga mbështetëset kryesore të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të gjerë.
Paralajmërimi i Tusk vjen në një periudhë kur Polonia po monitoron nga afër aktivitetin ajror pranë kufirit dhe po mban forcat e saj ajrore në gatishmëri.
Kryeministri nuk tha se Polonia është sulmuar drejtpërdrejt, por theksoi se përsëritja e sulmeve në territorin ukrainas pranë kufirit krijon një situatë të re sigurie për vendin./ /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.