Programi “Supershkollat” vazhdon: 10 shkolla nga Maqedonia e Veriut lidhen me bashkëmoshatarët në rajon
U prezantuan 52 shkollat e përzgjedhura në thirrjen e pestë të programit të shkëmbimit shkollor të Ballkanit Perëndimor; mes tyre edhe "8 Shtatori" e Tetovës dhe "Kiro Burnaz" i Kumanovës
Programi i shkëmbimit shkollor “Supershkollat” vazhdon, dhe nxënësit e shkollave të mesme nga Maqedonia e Veriut do të lidhen sërish me bashkëmoshatarët e tyre nga rajoni. Kjo u bë e ditur në prezantimin e shkollave që këtë vit janë pjesë e Skemës së shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, siç raporton Centar.mk, duke iu referuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska, theksoi se shkëmbimet shkollore kanë ndikim të rëndësishëm dhe shumështresor pozitiv në sistemin arsimor. Sipas saj, ato mundësojnë shkëmbimin e praktikave të mira, njohurive dhe përvojave, u japin mësuesve mundësi të mësojnë nga njëri-tjetri, shkollave të ndërtojnë partneritete të reja, ndërsa nxënësve të shoqërohen, të njohin popuj e kultura të tjera, të respektojnë dallimet dhe të zhvillojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj një bashkësie më të gjerë.
“Më e rëndësishmja është se përmes përvojave të tilla të rinjtë fitojnë vlera dhe formohen si personalitete. Ato vlera nuk mbeten vetëm në klasë apo në shkollë. Nxënësit i çojnë në shtëpi, i përcjellin në familjet dhe bashkësitë e tyre dhe kështu kontribuojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e një shoqërie më të hapur dhe më solidare”, tha Ivanovska, sipas raportimit të Centar.mk. Ajo shtoi se përmes thirrjes së re synohet që partneritetet të mos përfundojnë me realizimin e një projekti, por të shndërrohen në marrëdhënie të qëndrueshme dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes shkollave, mësuesve dhe nxënësve.
Sot u prezantuan gjithsej 52 shkolla nga rajoni, të cilat përmes thirrjes së pestë të hapur për rrjetëzim në kuadër të programit “Supershkollat” do të vazhdojnë t’i zhvillojnë partneritetet e krijuara përmes thirrjeve të mëparshme. Prej tyre, 10 shkolla janë nga Maqedonia e Veriut: SOU “Gjorçe Petrov” dhe SOU “Orde Çopela” nga Prilepi, OSEU “8 Shtatori” nga Tetova, SUGS Gjimnazi “Josip Broz Tito” nga Shkupi, SOU “Ljupço Santov” nga Koçani, SOU “Mavrovo – Rostushe” nga Mavrova-Rostusha, OSMU “Dr. Jovan Kallauzi” nga Manastiri, RCSOO “Kiro Burnaz” nga Kumanova, RCSOO “Vanço Pitosheski” nga Ohri dhe SOU “Josif Josifovski” nga Gjevgjelia.
Programi bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), ndërsa zbatohet nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ). Ivanovska theksoi se, pavarësisht ngjashmërive të shumta historike, kulturore dhe shoqërore, rajoni ka kaluar procese që kanë lënë pasoja në besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë, ndaj arsimi dhe të rinjtë janë pika më e mirë e nisjes për mirëkuptim më të mirë, dhe falënderoi zbatuesit dhe mbështetësit e programit për përgjegjësinë ndaj të rinjve dhe të ardhmes së tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.