Prokurimet Publike me inteligjencë artificiale, Rama: Sistemi, sipas parimeve më të larta të transparencës. Ministritë s’do kenë më lidhje direkte me tenderat
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po punohet për ngritjen e një sistemi të ri për prokurimet publike, i cili do të bazohet në inteligjencën artificiale dhe do të ndërtohet sipas parimeve më të larta të transparencës të përcaktuara nga institucionet ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat mbi zhvillimet kryesore në fushën e prokurimit publik, Rama tha se çdo njoftim do të publikohet në formatin elektronik të Bashkimit Europian dhe njëkohësisht në platformën qendrore europiane Tender European Daily, duke e cilësuar këtë si një hap të madh drejt integrimit të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.
Rama e përshkroi projektin si një manifest të vullnetit kombëtar për një “Shqipëri shtet”, që shënon kalimin në një epokë të re të të bërit biznes. Sipas tij, ky sistem është një përmbysje totale e mënyrës së deritanishme të prokurimeve
“Sistemi është planifikuar të ndërtohet me parimet më të larta të transparencës të shkruara nga institucionet dhe organizata ndërkombëtare. Të gjitha publikimet do të mbështeten në format elektronike të BE-së dhe çdo njoftim do të publikohet njëkohësisht edhe në platformën qendrore europiane Tender European Daily. Do të jemi në një fazë tjetër dhe brenda këtij mandati për Shqipërinë në BE në vitin 2030. Ky projekt nuk është thjesht një projekt teknologjik, por një manifest i vullnetit tonë kombëtar për një Shqipëri shtet. Diella do të shënojë kapërcimin nga një epokë në një epokë tjetër të bërjes biznes. Është një përmbysje totale e një sistemi dhe një reflektim në Shqipëri i gjithë asaj që teknologjia u jep vendeve që përmes teknologjisë kanë shanse të papara në historinë e njerëzimit për të bërë kapërcime që pa teknologjinë do të ishin të pamundura. Do të prezantojmë planin tonë të detajuar në javët në vijim, pasi do të nisim nga rekrutimi i specialistëve të teknologjisë digjitale për këtë projekt dhe jo vetëm”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se në javët e ardhshme pritet prezantimi i planit të detajuar, ndërsa do të nisë rekrutimi i specialistëve të teknologjisë digjitale. Po ashtu, Rama bëri me dije se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të funksionojë e ndarë nga një shoqëri e re publike, “Albanian Digital Solution”, kompani 100% shtetërore që synon të rekrutojë më të mirët e tregut dhe të bëhet forcë udhëheqëse në sektorin e teknologjisë.
“AKSH-i do të funksionojë i ndarë me një shoqëri të re publike “Albanian Digital Solution”, që do të jetë një kompani 100% shtetërore, e cila do të synojë: e para, të rekrutojë më të mirët e tregut dhe t’i paguajë më mirë se çdo kompani në treg; e dyta, të bëhet një forcë udhëheqëse në tregun e teknologjisë, duke qenë motori që shtyn agjendën e një shteti që po transformohet dhe falë teknologjisë synon të bëjë kapërcime të mëdha në të gjitha fushat”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi rolin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), duke e konsideruar si një nga instrumentet kryesore të reformës në prokurimet publike dhe në shkëputjen e ministrive nga proceset e tenderimit. Në fjalën e tij, Rama theksoi se krijimi dhe funksionimi i OBP-së ka sjellë një “kapërcim të madh” në mënyrën sesi realizohen procedurat e blerjeve publike në vend.
“Te kursimet, ka një rol të posaçëm, Operatori i Blerjeve të Përqendruara,” u shpreh Rama.
Sipas Kryeministrit, ministritë dhe ministrat nuk kanë më lidhje direkte me tenderat, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e procedurave po transferohen gradualisht drejt Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Ai nënvizoi se ky proces synon krijimin e një strukture të specializuar, me ekspertizë të dedikuar për menaxhimin e procedurave komplekse të prokurimit publik.
“Operatori i Blerjeve të Përqendruara na ka dhënë mundësinë të bëjmë një tjetër kapërcim të madh që të mos bëjmë më tendera në ministri”, deklaroi Rama, duke shtuar se procesi po zgjerohet gradualisht edhe drejt agjencive dhe pushtetit vendor, përmes dialogut dhe bashkëpunimit me njësitë vendore.
Kryeministri theksoi se pushteti vendor ka autonominë e tij dhe qeveria nuk mund të imponojë mënyrën sesi realizohen tenderat, por sipas tij, po krijohet një model bashkëpunimi që synon rritjen e eficiencës, profesionalizmit dhe standardizimit të procedurave të prokurimit.
Në vlerësimin e tij, Rama u shpreh se proceset e prokurimeve publike janë shumë më komplekse nga sa perceptohen shpesh në debatin publik dhe se ngritja e një strukture të “superspecializuar” si OBP është thelbësore për garantimin e cilësisë dhe transparencës në përdorimin e fondeve publike.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara është një nga strukturat që qeveria ka promovuar vitet e fundit si pjesë të reformës për centralizimin e procedurave të prokurimit, standardizimin e specifikimeve teknike dhe uljen e kostove për institucionet publike. Sipas të dhënave të bëra publike më herët nga vetë institucioni, OBP ka realizuar mbi 1 mijë procedura prokurimi për dhjetëra institucione, duke raportuar mbi 40 milionë euro kursime për buxhetin e shtetit në 2 vite operim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.