Protesta në Zvërnec, Policia iu heq licencat dy kompanive private të sigurisë: Vijojmë hetimet penale & administrative
Policia e Shtetit ka vendosur t’u heqë licencën dy subjekteve private të sigurisë fizike, “Myrto Security 1.3A” dhe “Major Security”, pas shkeljeve të konstatuara gjatë protestës së zhvilluar më 30 maj në Zvërnec, kundër ndërtimit të një resorti.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë thuhet se hetimet e kryera kanë evidentuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrave ligjore nga të dy kompanitë e kontraktuara për ruajtjen e pronës në zonë.
Nga verifikimet rezultoi se subjekti “Myrto Security 1.3A” “nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit”.
Ndërkohë, për subjektin “Major Security”, hetimet kanë konstatuar se një punonjës i licencuar, së bashku me dy persona të tjerë të palicencuar dhe të paregjistruar pranë kompanisë, kanë kryer veprime arbitrare ndaj një protestuesi. Sipas Policisë, ata e kanë goditur dhe e kanë marrë me forcë brenda rrethimit të pronës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
“Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti”, thuhet ne njoftimin e policise.
Njoftimi i Policisë
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
Iu hiqet licenca 2 subjekteve ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”.
Vijojnë intensivisht hetimet administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për hetimin e plotë me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive në lidhje me veprimet dhe mosveprimet përgjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec, si dhe për ligjshmërinë e subjekteve private për sigurinë fizike që janë kontraktuar nga pronari, për ruajtjen dhe sigurinë fizike të pronës në Portonovë, Zvërnec.
Në vijim të veprimeve administrative të kryera nga Departamenti për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje, konkretisht:
Subjekti ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kishte marrë masat për sigurinë e objektit dhe nuk kishte zbatuar rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes së personave dhe mjeteve në objekt. Nga ana e këtij subjekti nuk administrohej lista e personave dhe mjeteve që lejoheshin të hynin në objekt. Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kritereve, më datë 30.05.2026, janë lejuar të hyjnë në brendësi të rrethimit, persona të paidentifikuar dhe të panjohur nga personeli i shërbimit.
Këta persona, gjatë tubimit, kanë ndërhyrë pa patur asnjë atribut ligjor dhe kanë goditur e tërhequr me forcë një shtetas pjesëmarrës në protestë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Gjithashtu, kanë reaguar kundër protestuesve me gurë dhe sende të tjera nga rrethimi i pronës. Ndaj këtyre shtetasve që kryen veprimet e dhunshme, punonjësit e ShPSF “Myrto Security 1.3A” nuk kanë kryer asnjë veprim parandalues apo për largimin e tyre.
Ndërsa punonjësi i licencuar i subjektit ShPSF “Major Security”, së bashku me dy persona të tjerë, të cilët u proceduan penalisht, dhe nga verifikimet rezultoi se dy të proceduarit nuk figuronin të regjistruar apo të licencuar nga subjekti SHPSF “Major Security”, kryen veprime arbitrare duke shpërdoruar detyrën dhe në tejkalim të kompetencave, pasi goditi me grusht një prej protestuesve, e morën me forcë dhe e çuan në brendësi të rrethimit duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Në përfundim të hetimeve administrative, për shkeljet e konstatuara në të dy subjektet, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, referuar ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, të dy subjekteve iu hoq licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Hetimet penale dhe administrative vijojnë




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.